Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë aktori dhe regjisori shqiptar Andon Qesari. Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij Edon Qesari, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Pas një sëmundje të rëndë dhe të gjatë, Andoni ka ndërruar jetë.
“Të dashur miq e të njohur,
Sot në mëngjes, pas një sëmundje të gjatë, e cila e kishte rënduar dhe sfilitur shumë në vitin e fundit, i dashuri babai im ANDON QESARI u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare.
Dashuria e Tij e pamat për ne, familjarët dhe njerëzit e tij të afërt, përpjekjet për të na dhënë një jetë me dinjitet dhe begati, pasioni i vyer artistik që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe shënoi një karrierë të paharrueshme në teatrin shqiptar dhe studimin e artit, humori i hollë që e spikaste, janë trashëgimi më i çmuar që na la.
Të dua Ba’ dhe mirupafshim në një jetë më të mirë…”, shkruan i biri në rrjetet sociale.
Kujtojmë se Andon Qesari (lindur më 27 qershor 1942) është një aktor dhe regjisor shqiptar . Ai ka bërë një pjesë të filmave si aktor, dhe është gjithashtu i njohur për punën e tij në teatër. Ai ka marrë dhe titullin Artist i Merituar.
Disa nga rolet e tij janë në filmat si:
Gadhnjim mbi vdekjen (1967)
Gjurma (1970)
Në fillim të verës (1975)
Pylli i lirisë (1976)
Ata ishin kater (1977)
Dëshmorët e monumenteve (1980)
Tela për violinë (1987)
Në emër të lirisë (1987)
Dashuria e fundit (1995)