Përfundoi sot edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Rinj dhe Fëmijë, Giffoni Shqipëria. Pas prezantimit të 7 filmave mes tyre edhe tre shqiptarë, përgjatë tri ditëve festival, debate, diskutime, pyetje nga nxënësit dhe përgjigje nga autorët e filmave, sot, ditën e katërt, dy juritë e nxënësve pasi votuan një nga një, shpallën edhe çmimet për këtë edicion.
Filmi “Veloce come il Vento”, me regji të Matteo Rovere, fitoi çmimin e jurisë së grupmoshës 16-vjeçare, me 250 anëtarë nga shkollat e mesme të kryeqytetit.
Filmi “At Eye Level”, me regji të Evi Goldbrunner dhe Johachim Dollhopf, fitoi çmimin e jurisë së grupmoshës 13-vjeçare, me 250 të tjerë të shkollave nëntëvjeçare.
Filmi shqiptar “Frymë”, me regji të Artur Gorishtit, fitoi çmimin “Xhanfize Keko”, trofe që mban emrin e regjisores më të njohur shqiptare të filmave për fëmijë.
Përveç prodhimeve kinematografike, u dha edhe Çmimi “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, që për këtë vit ishte nxënësja e shkollës Çajupi, Refxhi Tole.
Ky edicion i 12-të i Giffoni Shqipëria është edhe i fundit që festivali vjen në këtë formë, duk e i paraprirë një reformimi tërësor të Giffoni Shqipëria, drejt një projekti të madh e afatgjatë për zbulimin dhe formimin e kineastëve të rinj.