E di që ju më shumë se unë, e keni ndjekur me lupë edicionin e 60-të të këngës në RTSH. Unë kam vendosur të bëj nga një shkrim për secilën natë. Nëse nuk e lexove dot artikullin e djeshëm, e ke linkun këtu : Cilët u veshën më mirë dhe cilët gabuan në natën e parë të Festivalit të Këngës në RTSH
Po dje? Kush qëlloi e kush gaboi? E lexoni më poshtë.
Kush gaboi:
Xhaketa magenta është interesante, por kombinimi i saj me të zeza s’më duket në lartësinë e duhur. Unë fatkeqsisht këtë xhaketën e Ronela Hajatit e kam parë dhe më herët. Edhe ju gjithashtu. Një dizajn pak a shumë të ngjashëm e ka veshur Zendaya në një nga eventet e fundit. Në fund të fundit, kush nuk do t’i ngjajë pak bukuroshes që po bën bujë gjithandej për modë?
Volalisti i Urban Band mund të ishte impenjuar pak më shumë për veshje, jo sikur po del tek kafja e lagjes ditën e shtunë. Bëjnë kontrast të pakëndshëm me veshjen e kuruar të Kozma Dushit.
Gili ka qenë gjithnjë fanse e shkëlqimit, xixave dhe veshjeve pompoze në skenë. Megjithatë detajet e fustanit të kuq janë të tejkaluara. Ka edhe papjon tek gjoksi, mëngë oversize me pupla, copë me xixa, golf dhe vathë. Le të mbahej fustani me mëngët, duke eleminuar papjonin dhe vathët e kuq.
Nuk kam asgjë me bustin e fustanit të Mihrije Brahës (edhe pse është i ngarkuar), por kjo aplika që i varet deri tek kofshët jep tërësisht idenë e gabuar. Busti i duket i gjatë e këmbët e shkurtra.
Kush qëlloi:
Dua t’i jap pikë Kelvi Kadillit për kostumin me dorashka lëkurë. Më pëlqen më shumë se ai magenta i natës së parë, ku pantallonat krijonin një palë tek harku i kofshës. Mendoj se magenta nuk duhet kombinuar kurrsesi me të zezën.
Artistja Myfarete Laze, edhe pse nuk ka veshur pupla, dorashka, dekolte nga koka tek këmbët, mund të jetë ndër të veshurat më mirë në festival. Thjesht dhe bukur, duke u harmonizuar me moshën, fizikun dhe eventin.
Më pëlqen shumë kostumi me tre pjesë i Arditit, sidomos përzgjedhja e materialit velvet. Disa lloje kadifesh pa vija duken shumë bukur nën dritat e skenës.