Ylli i muzikës rok, Bono, deklaroi se muzika ia ka shpëtuar jetën dhe pikërisht këtë gjë e ka transmetuar përmes këngës së re të shkruar enkas për filmin e animuar “Sing 2”.
Bono së bashku me yjet tjerë të këtij projekti që vijnë nga fusha e filmit dhe muzikës, ishin të pranishëm në premierën e filmit në Los Angeles.
Për gazetarët e pranishëm mbi qilim të kuq, muzikanti irlandez i cili në film e huazon zërin për personazhin e luanit, Clay Calloway, e kujtoi momentin kur e kishte pranuar telefonatën nga regjisori Garth Jennings, për t’u angazhuar në këtë projekt.
“Regjisori me telefonoi për të biseduar me mua për përsonazhin e një luani i cili e kishte humbur ulërimën, dhe më tha: ‘A e din se çfarë do ta shteronte një zë?’, dhe unë ju përgjigja, ‘Ndoshta pikëllimi dhe mërzia’. Kështu, ai më kërkoi t’ia shpjegoja këtë hamendje në hollësi sepse e kishte një personazh të luanit në film i cili e kishte humbur dashurinë e jetës, gruan e tij Ruby. Përfunduam duke biseduar gjerë e gjatë për natyrën e këndimit, duke i treguar për eksperiencat e mua personale dhe si u ndjeva i lirë për herë të parë në jetën time, kur isha vetëm 16-vjeçar. Tani që po flasim unë po qesh me këtë, por në fakt nuk është një histori shumë qesharake. Muzika rok me të vërtetë ma ka shpëtuar jetën”.
E për “Sing 2”, Bono dhe kitaristi i grupit “U2” i njohur me emrin artistik, The Edge, e kanë shkruar këngën e parë në tre vjetet e fundit e cila titullohet, “Your Song Saved My Life”. Në kuadër të filmit, muzikanti i famshëm po ashtu e interpreton një prej këngëve të tij klasike, “Where the Streets Have No Name”, krahas aktores së famshme hollywoodiane, Reese Witherspoon.
Kjo e fundit tha se ishte emocionuar shumë kur ka kuptuar se do të performojë me ikonën e muzikës rok.
“Po, ai është një legjendë e rokut dhe mua mu dha rasti ta interpretoja me të këngën, ‘Where the Streets Have No Name’. Vazhdimisht i thosha producentit tonë, Harvey Mason, se shpresoj që nuk po mendojnë që edhe unë të këndojë me të, por ai më tha që po, ishte e domosdoshme të vinim me duet. Pra, pavarësisht se zëri im nuk dëgjohet shumë edhe unë jam pjesë e kësaj kënge”.
Witherspoon dhe miku e kolegu i saj në film, Matthew McConaughey, për gazetarët e pranishëm në premierë deklaruan se janë argëtuar shumë me realizimin e këtij projekti, për faktin se mund ta ndajnë këtë eksperiencë edhe me fëmijët e tyre.
“Ky është një film për gjithë familjen. Gjatë karrierës unë kam realizuar shumë filma për të cilët njerëzit i kanë pyetur fëmijët e mi, se cilin e preferojnë, dhe ata gjithmonë tregonin se nuk e kanë parë asnjë film timin. Kjo ngase nuk ishin filma të përshtatshëm për fëmijë. Prandaj, jam i lumtur që kam qenë pjesë e këtij projekti i cili është i përshtatshëm për gjithë familjen. Shpesh ndodhë që fëmijët i obligojnë prindërit të shkojnë në kinema për të shikuar filma të animuar, dhe jo gjithmonë janë projekte të cilat u përshtaten edhe të rriturve. Por, filmi ynë është ndryshe. Ai është i përshtatshëm për gjyshet, baballarët, nënat dhe fëmijët. Po ashtu përmban muzikë dhe këngë të mrekullueshme”.
“Po, sigurisht. Kjo e bënë filmin dyfish me argëtues për mua, pra fakti se fëmijët mezi presin ta shohin atë nëpër kinema. Djali im i vogël i cili është 9-vjeçar sot i ka marrë me vete edhe shokët, dhe më vjen mirë që do të ketë mundësi ta shijojnë së bashku këtë projekt”.
Bono, Halsey, Pharrell Williams, Letitia Wright, Eric Andre, Chelsea Peretti, Tori Kely dhe Bobby Cannavale, i janë bashkuar kastës së aktorëve që i huazojnë zërat për personazhet e vazhdimit të dytë të këtij projekti të suksesshëm të animuar, pjesë e të cilit janë edhe yjet: Matthew McConaughey, Reese Witherspoon, Scarlett Johansson, Taron Egerton dhe Nick Kroll.
“Sing 2” ka filluar së shfaquri nëpër kinematë botërore nga 22 dhjetori.