Rrjeti ndërkombëtar MTV pritet të pësojë ndryshime radikale në programacion me qëllim rikthimin e audiencës që prej vitesh nuk e gëzon më. Zhvillimi i internetit dhe platformave të video streaming dhe industrisë muzikore online kanë bërë që sot kanali ku të gjithë drejtoheshim me padurim për të zbuluar muzikën më të re dhe të argëtoheshim me programet origjinale të jetë duke kaluar një krizë financiare duke u kthyer në një televizion të zakontë në buqetën e kanaleve ndërkombëtar.
MTV ka pësuar një rënie të konsiderueshme në audiencë 10 vjeçarin e fundit dhe për këtë Philippe Dauman, kreu i Viacom, ka zbuluar, siç raportohet nga Variety, se brand-i do të pësojë ndryshime të rëndësishme, duke hyrë në një fazë rikonceptimi inovativ.
Qëllimi i synuar do të jetë rifitimi i vëmendjes së investitorëve dhe rritja e të ardhurave nga reklamat. Përveçse programeve më të suksesshme që transmetohen, ndër projektet ku synohet më shumë në të ardhmen janë koncertet Live me fuqizimin e MTV Live dhe vënia përsëri në ekran e MTV News.
Në javët e ardhshme, përveç kësaj, përgjegjësit e emetuesi do të përpiqen për të hartuar plane të reja për të forcuar lidhjen mes MTV, muzikës dhe kulturës popullore.