Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero shprehet se jo çdo person i infektuar me Covid-19 duhet të izolohet.
Në një deklaratë për Euronews Albania, teksa po fliste për hapjen e shkollave, Pipero tha se një person pozitiv me COVID-19 por pa shenja klinike, nuk është e nevojshme të karantinohet por mjafton të mbajë maskë.
Gjithashtu, mjeku Pipero nënvizoi faktin se fëmijët janë kategoria e shoqërisë më pak e rrezikuar nga koronavirusi, ndaj nuk duhet parë situata me panik e frikë.
“Shoh që ka një lloj paniku, qoftë nga prindërit dhe arsimtarët. Shkollat duhet të vijojnë të jenë të hapura, pasi pa u hapur shkolla nuk hapet shoqëria. Një person që del pozitiv dhe pa shenja klinike, për mua nuk ka arsye të karantinohet. Mjafton të mbajmë maskën si personat e tjerë. Në raste kur kemi të bëjmë me një person kontakti, pa shenja klinike, për mua të vendosi maskën dhe të vijojë aktivitetin. Të gjithë duhet të respektojmë udhëzimet që dalin nga ekspertët. Shumë pak mund t’ua kalojnë sëmundjen të rriturve. Nuk duhet të vendosim fëmijët në panik. Ta heqim mendimin izolim për fëmijët. Pra, duhet ta shikojmë rast pas rasti”, tha Pipero.