Epidemiologu i njohur Ilir Alimehmeti është shprehur së fundmi se masat anti-Covid duhet të ashpërsohen, të paktën për disa javë, pasi situata epidemiologjike në vend është rënduar.
Alimehmeti theksoi se duhen mbështetur shumë fortë sektorët ku kemi probleme dhe duhet kërkuar mbyllja e tyre për pak javë. Sipas epidemiologut, këto masa duhet të merren pasi 4-5 javët që kemi përpara do të jenë më të vështira, sa i përket përhapjes së virusit.
Po ashtu ai foli edhe për rastin e rëndë të një ditë më parë, ku humbi jetën tek spitali “Shefqet Ndroqi” një 17-vjeçar i infektuar me Covid-19. Alimehmeti u shpreh se edhe në vendet e BE-së ka raste të tilla tragjike.
“Mund të shohim që ka raste goxha, po të shikojmë vendet e BE-së. Të rijnë përgjithësisht nuk kanë simptoma dhe nuk para vijnë tek mjeku për test”- tha ai.
Mjeku sqaroi se në Shqipëri nuk ka tendencë për të indentifikuar të rinjtë që janë të infektuar.
“Ne kemi tendencën që të mos t’i gjejmë. Për moshën 0 deri në 20-vjeç ne kemi vetëm 6% të raste të identifikuara në total. Ndërkohë, Italia që ka një moshë mesatare shumë më të lartë se ne, ka 12.3% të infektuarve në këtë moshë. Pra jemi ne që nuk i gjejmë rastet, jo se ka ndonjë gjë të çuditshme”, u shpreh mjeku i njohur.