Epidemiolog klinik, Ilir Alimehmeti, duke iu referuar një studimi të publikuar nga Departamenti i Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive, Imperial College London, thotë se në Shqipëri parashikohet të ketë mbi 40 mijë persona të infektuar me COVID-19.
Për Italinë, studimi sipas Alimehmetit tregon se niveli i të infektuarve arrin në 9.8%, ndërsa zyrtarisht deri tani Mbrojta Civile në Itali raporton për 0.15% të prekur. Kjo do të thotë se rastet kapen vetëm 1.53% e atyre që janë në total.
“Ndërkohë që Mbrojtja Civile e Italisë deklaron 92.472 të infektuar, me rregull treshi numri real besohet të jetë 92.472 x (9.8/0.15) = 6.041.504 persona të infektuar”, shprehet mjeku. dhe nisur nga këto të dhëna vetëm 0.17% e të prekurve humbin jetën.
Sa i takon vendit tonë, sipas tij, masat dhe të gjitha përllogaritjet janë bërë duke marrë si model ecurinë në Itali.
“Në Shqipëri masat u morën shumë më shpejt se në Itali në krahasim me ditën e zbulimit të rastit të parë. Si rrjedhojë, totali i të infektuarve në Shqipëri në analizën paraprake përllogaritet në rreth 41.562 persona”, shprehet mjeku.
Sipas, Ilir Alimehmetit, ndërkohë që sot kemi 15 të vdekur, ky numër do të kishte qenë 47 deri në 56 nëse masat nuk do të ishin marrë në kohë.
Lidhur me pyetjen se kur mund të marrë fund kjo pandemi, mjeku thotë se, të paktën për vitin 2020 do të jenë në qarkullim.
“Ky virus nuk do të zhduket, do të jetë për vite me ne. Virusi do të jetë vërdallë njësoj si gripi. Do të zhduket problematika në momentin që do të arrihet imuniteti i tufës, kjo do të mbronte edhe pjesën tjetër. Virusi lëviz ngadalë. Parashikohet një rënie graduale nga gjysma dhe fundi i prillit. Presim një valë të dytë pak më të ulët në momentin kur këto temperatura do të ulën nga gjysma e tetorit”, thotë ai./euronews.al