Gjermania është një ndër shtetet që ka rezultatet më të mira përsa i përket raportit të të infektuarve me ato të vdekjeve.
Krashas kësaj, kompanitë gjermane kanë nisur përpjekjet të forta për gjetjen e një vaksine dhe pikërisht për këtë ka folur edhe mjekja shqiptare Elona Meta Haubrich, e cila drejton edhe Federatën e Mjekëve Shqiptarë.
Mjekja epidemiologe tregoi se aktualisht është dhënë leja për testimin e një vaksine kandidate dhe brenda 3 ose 4 muajsh do të shihen rezultatet.
“Është dhënë leja për të vepruar me vaksinën kandidate. Bëhet fjalë për 4 substanca të ndryshme, ndërsa vaksina do të testohet te një grup prej 200 personash vullnetarë. Pas 3-4 muaj do të shikohen rezultatet nëse kjo do të jetë vaksina përfundimtare për Covid-19. Këta 200 persona vullnetarë janë të gjithë të shëndetshëm dhe grupi i dytë do të jetë me persona në gjendje jo të mirë shëndetësore, të rrezikuar”, u shpreh ajo, ndërsa theksoi se pandemia duhet parandaluar për të mos pasur pasur një valë të dytë.
“Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me gjetjen e antitrupave, por duhet ta parandalojmë virusin, pasi mund të vijë edhe vala e dytë. Vaksina ndahet në dy grupe, imunizimi pasiv dhe aktiv. Po bëhet fjalë për imunizimin aktiv, ku pasi futet antigjeni, i gjallë ose i vdekur, pritet për krijimin e antitrupave. Në lidhje me këto vaksina po punohet shumë për të krijuar një imunizim me një kohë të gjatë”, nënvizoi Elona Meta Haubrich.