Përdorimi i antibiotikëve me tepri tek pacientë me simptoma të lehta të Covid në Shqipëri sjell shqetësim edhe tek mjekët shqiptarë të cilët jetojnë në Europë. Nga një konferencë virtuale e zhvilluar nga Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë ata thanë se shqiptarët po përdorin ilaçe pa kriter.
Vablona Selimaj e cila punon si mjeke në Belgjikë tregon abuzimin që bëhet:
“Në Shqipëri japin antibiotik të gjeneratës 4, japin oksigjenoterapi në shtëpi në mënyre masive. Ky është një abuzim i jashtëzakonshëm, në qoftë se vazhdon dy tre muaj do na vdesin njerëzit”.
Mjeku Adrian Fandi tregon si funksionon jashtë:
“Këtu janë shume strikt, duhet te marrim leje tek mikrobiologu, është çmenduri të përdoresh antibiotik venoz”.
Njëzëri mjekët shqiptarë apelojnë më së shumti tek rastet e lehta të sëmundjes së Covid:
“Këtu kemi një infeksion viral, si do ta mjekojmë një infeksion viral me antibiotik? Ne me antibiotik mjekojmë vetëm infeksionet bakteriale”.
‘Rastet e lehta ne i leme në shtëpi me vitaminë C, D, Zink dhe paracetamol”, tregon Teli Kamberi.
Ndërkaq, ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një udhëzim tregon rastet e trajtimit dhe ilaçet apo vitaminat që merren me rimbursim përmes mjekut të familjes, ose online. Ndërsa rastet e rënda trajtohen në spitalet Covid të vendit.