Gjatë një deklarate për mediat, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, u shpreh se po vlerësohet mbyllja e bareve dhe kafeneve në zonën e Ish-Bllokut në Tiranë (e njohur si Blloku), pas orës 22:00.
“Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve dhe kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë, pas orës 22.00 duke qenë se konstatohet një vatër rreziku i madh i mundshëm nga grumbullimet në këtë zonë, sidomos gjatë orëve të vona të natës.”
Në vijim, zëvendësministrja shtoi se nëse nuk zbatohen rregullat, do të rrezikojmë mbylljen. Ndërkohë përsa i përket përditësimit të situatës së Covid-19 në Shqipëri, gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitivë 275 qytetarë.
“Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 163 raste në Tiranë, 30 në Korçë, 15 në Shkodër, 12 në Durrës, 11 në Pogradec, 9 në Librazhd, 7 në Lezhë, nga 3 raste në Fier, Lushnje, Mat, nga 2 raste në Devoll, Elbasan, Vlorë, Mirditë, Berat, nga 1 rast në Has, Kavajë, Pukë, Mallakastër, Kamëz, Gjirokastër, Përmet, Prrenjas, Kuçovë.” – njoftoi Ministria e Shëndetësisë.