Ministria e Arsimit nëpërmjet një njoftimi për shtyp ka sqaruar se viti shkollor do të nisë më 14 shtator dhe jo më 31 Gusht, sic është njoftuar në disa media. Në njoftim sqarohet se nga 31 gushti deri më 11 shtator do të zhvillohen mësime plotësuese vetëm me ata nxënës të klasave 1-5, të cilët nuk kanë pasur akses dhe mundësi gjatë periudhës së mësimit online, mars–maj 2020.
Programi plotësues i pajis këta nxënës me njohuritë dhe aftësitë gjuhësore dhe matematikore që i përkasin programit mësimor, të zhvilluar në periudhën mars-maj 2020.
Zyrat Arsimore kanë identifikuar shkollat dhe nxënësit të cilët mund të jenë pjesë e këtij programi dhe që janë kryesisht nxënës të cilët u përkasin shtresave vulnerabël, romë, egjiptianë apo të zonave të thella gjeografike.
Ndërkohë, orët mësimore gjatë kësaj periudhe do të zhvillohen sipas të gjitha protokolleve të kushteve higjieno-sanitare, duke ruajtur distancimin fizik dhe mbrojtur shëndetin e gjithsecilit.