Të shumtë ishin ata që u habitën kur panë artisten Mimoza Ahmeti në rolin e opinionistes në edicionin e tetë të “Big Brother”. Megjithatë ajo për “Shekulli”-n ka treguar detaje nga misioni që ka marrë përsipër për të realizuar. Përpos kësaj ajo shpreh komentin e saj, lidhur edhe me prezantimin, ku nuk mungojnë batutat e saj orgjinale, të cilat kanë shkaktuar shumë humor te publiku. Një eksperiencë të ngjashme Mimoza Ahmeti e ka provuar edhe në edicionin e “Kafazit të Artë”, një format i ngjashëm me “Big Brother”, ku ajo ishte “tutoria” e njërit prej personazheve që ishin brenda në shtëpi, por pavarësisht kësaj kjo eksperiencë është diçka e re, si për të, ashtu edhe për publikun shqiptar. Lirshmëria dhe mënyra e saj unike e të perceptuarit të gjërave e bën atë të pëlqyeshme nga publiku, megjithëse opinionet e saj nuk i përkasin shumicës.
E kontaktuar nga “Shekulli” Mimoza Ahmeti ka treguar se e ka pritur me shumë dëshirë këtë ftesë dhe është ndjerë mirë në rolin e opinionistes. Megjithatë ajo tregon se do t’u qëndrojë larg paragjykimeve. “Mua të gjithë personazhet e ‘Big Brother’-it më japin mjaft zbavitje dhe kënaqësi sa herë i shoh. Po e shijoj shumë këtë eksperiencë, si opinioniste e këtij edicioni. Me pjesëmarrjen në natën e parë të hapjes së edicionit të 8, u ndjeva shumë rehat dhe më pëlqyen të gjithë në prezantimin e tyre. Ditët e fundit kam parë për orë të tëra ‘Big Brother’ dhe jam kënaqur shumë. Secili prej konkurrentëve ka kodet e veta të sjelljes. Mua më pëlqejnë që të gjithë, pavarësisht se një pjesë e tyre rezonojnë më shumë se të tjerët. Më vjen mirë të them se shumica e banorëve rezonojnë me njeri-tjetrin. Ka dhe nga ata që kodet e transmetimit dhe të komunikimit i kanë më të veçanta, edhe kjo krijon ato që quhen përplasje dhe pakënaqësi. Unë si opinioniste nuk kam asnjë paragjykim për kodet e tyre. Unë i konsideroj që të gjithë të bukur në llojin e vet”, është shprehur Ahmeti për ne, para së të ndodhte diskutimi për video-n e montuar.
Mimoza Ahmeti e shihte formatin e “Big Brother”-it, si të paparashikueshëm. Sipas saj, zgjedhjet e tij janë të befta dhe të paqëndrueshme. Ajo që të duket fillimisht negative në pak sekonda mund të kthehet pozitive dhe e kundërta. Kjo e bën atë si opinioniste që të mos nxjerrë përfundime të shpejta dhe të mos tentojë të bëjë parashikime.
Megjithëse pas një jave dhe pak, nga edicioni i tetë i këtij shou televiziv, ka patur përplasje mjaft të ashpra, që kanë çuar edhe në largimin e Edisonit, liderit të shtëpisë, që më pas janë komentuar edhe nëpërmjet statuset në profilin e opinionistet Mimoza Ahmeti, edhe në faqen e gazetarit Olti Curri. Mungesa e ushqimit, cigareve dhe kufizimeve të tjera solli nervozitet të lartë te banorët, aq sa kjo u përkthye më pas në zënka dhe grindje. “Provokimet nga ana e “Big Brother” ishin të rangut ekzistencial, që lidheshin me ushqimin dhe akomodimin dhe kjo bëri që këta karaktere të shfaqeshin shumë më lehtë pasi u prekeshin direkt interesat bazike të qenies. Për mendimin tim kjo ishte një provë shumë e hershme, edhe nuk duhej të jepej kaq shpejt. Megjithatë reagimet e konkurrentëve ishin të bukura, naive, të drejtpërdrejta, njerëzore mbi të gjitha”, pat thënë ajo për situatën e krijuar mes tyre.
Konflikti mes dy konkurrentëve të “Big Brother”, Edisonit dhe Sokolit i kaloi limitet e përcaktuara në lojë. Prandaj Edisoni u përjashtua nga loja. Në spektaklin e së shtunës së parë u dhanë edhe masa të tjera ndëshkuese për thyerje rregullash.“Mua personalisht më pëlqejnë konfliktet pasi tregojnë shumë për njerëzit. Mendoj se për konfliktin që ka ndodhur ditët e fundit mes Sokolit dhe Edisonit nuk mund të jap një opinion, pasi unë nuk i kam ndjekur shumë këto ditë debatet mes tyre. Unë kryesisht i ndjek përmbledhjet ditore për t’u njohur më shumë me ta. Konfliktet, megjithëse duken të ndezura për mua janë shumë konfirmuese në aspektin që secili prej tyre të shfaqte karakterin e tij. Kjo të ndihmon shumë për t’i njohur ata më mirë”, u shpreh shkrimtarja.
Konflikti mes banorëve
Pas debateve dhe ofendimeve të ashpra mes Edisonit dhe Sokolit, “Big Brother” iu ka komunikuar se në shtëpi janë thyer rregullat. Konflikti mes djemve ka ditë që ka nisur dhe ata janë kapur edhe për gjëra të vogla me njëri-tjetrin. Me pretekstin e një gjesti me duar, që e quajti kërcënim, Edisoni i vuri “Big Brother”-it kushtin që ta largonte menjëherë Sokolin nga gara. BB vendosi që Edisoni të largohet nga shtëpia pasi ishte ai që kishte shkelur rregulloren. Në spektaklin e të shtunës së parë u dhanë edhe dënime të tjera për banorët.
Debati mes Mimoza Ahmetit dhe Olti Currit
Mimoza Ahmeti reagon pas publikimit të një montimi nga gazetari Olti Curri në faqen e tij personale, reagon nëpërmjet një statusi, ku paralajmëron edhe dorëheqjen e saj, pasi nuk e koncepton dot censurimin e fjalës së lirë. Ajo shkruan se: “Fola me Edisonin e ‘Big Brother’, që doli të shtunën e kaluar nga Bigu. Në një faqe ‘Facebook’-u të ‘Big Brother 8’, kanë montuar një foto timen me të tijën, fotomontazh, me disa shkrime të panjohura, dhe një diçiturë poshtë, shqip, kategorike. Duan të na fusin në konflikt. Edisoni më tha se edhe atij i kishin botuar një video me shkurtime. Siç më tha Edisoni, faqja është bërë nga Olti Curri gazetar i Top Channel. Edhe mua, Edisoni më tha se ma kanë botuar një video me shkurtime. I thashë O.Currit: O vëre të plotë, o hiqe atë video. Ai më tha: E di vetë ca bëj me faqen time. Unë kam gjithë ditën që i kërkoj Zefinna Hasanit, organizatores së Bigut, numrin e Edisonit dhe nuk ma jep. Kjo mungesë korrektësie, duke më fikur edhe telefonin më bën të mendohem edhe një herë, nëse pjesëmarrja ime në ‘Big Brother’, si opinioniste do të vazhdojë apo jo. Edisoni më priti me shumë mirëkuptim dhe më dha fjalën se nesër (dje) do të paraqitemi të dy në media për të deklaruar këtë papërgjegjësi të rrezikshme.
Shumë e shumë herë u përpoqa të shkruaja në atë faqe, poshtë fotos së montuar, opinionin tim, por ditë-natë aty dikush ruante të ma fshinte në sekondë, me një censurë të frikshme. Fotoja dhe tjetër provokim ka qenë aty, të paktën fotoja, deri në momentin që e kam publikuar këtë mesazh, por të mos merakosen, se e kam fotografuar faqen dhe dorëzuar materialin…”, shkruan poetja në ‘Facebook’.
Nga ana tjetër gazetari Olti Curri reagon në profilin e tij duke thënë se: Moza e shtrenjtë që të dua aq shumë sa të kam dashur e do të dua. Posterat që botoj janë lloji i humorit që unë bëj, sepse ashtu më vjen, ti që vetë përdor humor duhet ti kuptosh. Nëse humori im është ndryshe nga yti, duhet të tregosh edhe tolerancë. Unë jam Olti Curri, gazetar i Olti Curri fan-page, blog me komente për spektakël & art. Kam një emision në ‘Top Albania Radio’, por vijën editoriale të faqes sime nuk e cakton absolutisht ‘Top Channel’. Sa për faktin që paske “qarë halle” me Edisonin se dua t’ju fus në sherr, nuk kam koment. Ndërkohë që uroj që në ‘Big Brother’ ( por edhe në çdo emision tjetër) të vazhdosh me opinione, sepse mendimi yt që fluturon i lirë në një botë që mund të na frikësojë, por na magjeps është i domosdoshëm. P.S. Linku që klikon dhe të fshihen komentet nuk është faqja zyrtare e BBA-së”.