Gazetarja e Sky Tg24, Letizia Leviti, e cila u nda nga jeta këtë të shtunë në moshën 45-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, përpara se të ndërronte jetë kishte lënë një mesazh për kolegët e saj. Një mesazh, në të cilin ajo falenderon kolegët që i qëndruan pranë në ditët e vështira, ndërsa shprehet se dashuria është gjëja më e rëndësishme në jetë. Letizia flet për punën të cilën e donte aq shumë dhe të vërtetën për të cilën gazetarët duhet të punojnë me ndershmëri. Pavarësisht jetës së shkurtër, Letizia falenderon zotin që i ka dhënë gjithçka ka dashur.
Ja mesazhi i plotë i saj:
Nuk e doja, mendoja se do t’ia dilja si shumë të tjerë, por ja që jetën nuk e zgjedhim ne. Do të doja t’iu përshëndesja , t’iu falënderoja me këtë mesazh dhe t’iu lija pak nga vetja ime. T’iu përshëndesja sepse shkoi kështu. Prej shumë kohësh nuk jam dhe më keni munguar shumë. Puna për mua ka qenë një burim jete. Puna jonë është e vërteta. Dhe e vërteta duhet të jetë. Kemi një detyrim ndaj spektatorëve dhe duhet të themi të vërtetën. Na besojnë në ato që themi. Ne duhet të jemi të ndershëm dhe të drejtpërdrejtë. Këtë kam menduar gjithmonë dhe shpresoj dhe besoj se të gjithë ju mendoni të njëjtën gjë. Unë nuk jam e kënaqur që përfundoi kështu, por falënderoj zotin sepse në jetë kam patur gjithçka që mund të dëshiroja, ndoshta edhe më shumë.
Doja t’iu thoja edhe diçka tjetër të rëndësishme. Është e rëndësishme të njohësh jetën, gjërat më të rëndësishme të saj. Mos i lini pas dore familjet tuaja, puna nuk duhet t’iu dominojë, asgjë nuk duhet t’iu dominojë, as edhe një sëmundje. Nevojitet të jesh i lirë, të duash thellësisht, punën, familjen, miqtë. Të nxehesh, por të duash. Forca e jetës, kuptimi i jetës është vetëm dashuria. Ajo që na shtyn të bëjmë gjëra më të mira. Kur ndodh diçka siç më ndodhi mua është mirë të ndihesh e plotë, e qetë, në paqe me botën. Të ndjesh që ke bërë atë që duhej bërë me sinqeritet edhe pse duhet të paguash një çmim. Një çmim që nuk është kurrë aq i lartë. Në fund të fundit jeta është e vërtetë, e shkurtër dhe po përfundon. E kam menduar shpesh fundin dhe jam lutur sepse jam këtu me fëmijët, me burrin, me mamanë, me botën time. Nuk jam e mërzitur. Secili prej nesh ka një fat, një rrugë. E imja duhej të përfundonte kështu por mbani mend këto fjalë. Unë ndjej ankth jo për veten time por për fëmijët e mi, për burrin, mamin, për familjen time, jo për veten. Unë kam patur gjithçka dhe falënderoj zotin për gjithçka që më ka dhënë. Nuk e di nëse ky mesazh mund t’iu shërbej por mendojeni. Ne e kemi bërë të rritej këtë kanal. Doja t’iu falenderoja të gjithëve, Emilion që besoi tek mua. Falënderoj Ivanin gjithmonë i pranishëm, Xhovanën e cila më ka dhënë shumë energji gjatë kësaj kohe, Sarën, që më ka qëndruar pranë. Jemi një kompani e madhe. Një përqafim të madh për të gjithë.
(Përshtatur nga Musa Kurtulaj)