Gjatë episodit të djeshëm të “Big Brother VIP” në Itali (Grande Fratello VIP), si i ftuar special, aktori Gabriel Garko zbuloi – pa qenë nevoja të flasë në mënyrë të drejtpërdrejtë – se është homoseksual. Gabriel realizoi një takim me aktoren Adua Del Vesco, me të cilën ka pasur një fejesë (false) nga viti 2015 deri në vitin 2018. Përmes një letre të shkruar për Adua-n, ai zbuloi disa detaje të marrëdhënies së tyre.
“Të kam shkruar një letër dhe dua ta lexoj. Adua, Rosalinda [emri i vërtetë i Adua-s], ti kurrë nuk më ke thirrur Dario [emri i vërtetë i Gabriel Garko-s] apo jo? Një djalë që e fshiva, e vrava dhe dua ta kthej në jetë. E di që këto gjëra që do të them do të vijnë si surprizë për ty, jo sepse ti nuk e di, por sepse nuk e di që do t’i them këtu.”
Më pas, ai shton:
“Ne jetuam bashkë një përrallë të bukur…të bukur, por përrallë. Dhe në përralla ka nga ata që dëgjojnë, nga ata që shkruajnë dhe nga ata që i interpretojnë. Dua të të them të bësh si unë, të gjesh fëmijën brenda teje. A të kujtohet kur të thashë në Sanremo se doja të bëja gjërat e mia? Këtu dhe atje pata guximin të filloj të jetoj, thashë moshën time të vërtetë. Atje, fëmija u kthye në jetë dhe sot më shumë se kurrë dua të të them se nuk gjej dot më një maskë që më përshtatet.”
Në vijim, aktori pranoi se më në fund është i lirë nga karakteri në të cilin ka qenë i mbërthyer ndër vite, të cilin e quajti “sekreti Pulcinella”. Pulcinella, i njohur në kulturën napolitane, është një karakter dualist që hiqet si i paditur, kur në të vërtetë di shumë gjëra për situatën, ose e anasjellta.
“Adua, ne jetuam një përrallë të lumtur dhe do ta jetoja një mijë herë sepse ti ishe atje. Tani, pas shumë vitesh, ndihem i lirë më shumë se kurrë dhe dua të jetoj jetën time me ty si shoqe, sic kemi qenë gjithmonë.”
Moderatori Alfonso Signorini ndërhyri duke e pyetur Garko-n se çfarë nënkupton sekreti i Pulcinella-s.
“Ah, çfarë kam për t’ju shpjeguar? Nuk është vendi i duhur,” tha ai duke shtuar më pas, “Nuk mendoj se ka nevojë për shumë shpjegime. Jemi në 2020-n.”
Gabriel Garko, emri i vërtetë i të cilët është Dario Oliver, ka punuar si model, por më tepër famë fitoi përmes aktrimit. Ai nisi aktrimin në fund të viteve ’90, por kulmin e pati në serialin dramatik “L’onore e il rispetto”, përmes të cilit u bë i njohur edhe për publikun shqiptar në rolin e kreut të mafias, Tonio Fortebracci.
https://www.instagram.com/p/CFkqoe8CXlc/?utm_source=ig_web_copy_link