Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe SHÇBA, nën drejtimin e SPAK-ut, ka finalizuar pas 7 muajsh hetime megaoperacionin antikanabis pas hetimeve se në territorin e rrethit të Skraparit ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa në parcela dhe vende të ndryshme,
Policia njofton se janë marrë 22 masa sigurie:
15 masa sigurie “Arrest në burg”, 4 masa sigurie “Arrest në shtëpi”, 3 masa “Detyrim paraqitjeje”, si dhe është shpallur në kërkim 1 person që nuk u gjet në banesë gjatë operacionit.
Policia ka sekuestruar 5045 bimë narkotike të llojit cannabis sativa, si dhe janë sekuestruar 176 kg lëndë narkotike e paketuar në gjendje të thatë, e gatshme për t’u trafikuar.
“Nga hetimet e kryera nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Policia Gjyqësore në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë administruar prova nga të cilat ka rezultuar se një grup personash, të cilët vepronin në zonën e Skraparit, kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” thuhet në njoftimin e policisë.
Si rezultat u bë ekzekutimi i urdhrave të lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar konkretisht masë sigurie “Arrest me burg” për shtetasit:
A. L., S. D., A. B., F. B., S. K., E. K., Z. Zh., I. B., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal” dhe ”Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”;
O. D., E. D., A. S., R. Sh., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe K. Z., B. Ç., A. D. (punonjës policie), të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;
Masë sigurimi “Detyrim paraqitjeje” për shtetasit F. D., E. M., I. Sh., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim;
Masë sigurimi personal “Arrest në shtëpi”, për shtetasit: A. B., e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe N. N., E. Z. dhe F. L., të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit T. D., për të cilin Gjykata ka vendosur masën “Arrest në burg, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
“Gjithashtu janë dokumentuar veprime të kundërligjshme të kryera nga disa punonjës të Komisariatit të Policisë Skrapar, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, konkretisht punonjësit e policisë N. N. (Shef i Stacionit të Policisë Poliçan), K. Z., B. Ç., A. D. me detyrë punonjës policie, si dhe funksionarët publik, shtetasi E. Z. me detyrë administrator i Njësisë Administrative Tërpan, F. L., me funksion kryeplak i fshatit Çorrogjaf, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin, sipas funksioneve dhe roleve, me veprime dhe mosveprime, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në territorin ku ushtrojnë detyrat funksionale dhe kompetencat, si dhe kanë favorizuar autorët që kanë kryer kultivimin e bimëve narkotike” thuhet në njoftimin e policisë