Anxhela Peristeri përfaqëson këtë vit Shqipërinë në “Eurovision” me këngën “Karma” dhe mbrëmjen e sotme në gjysmëfinalen e dytë do të performonjë e 11-ta. Në një prej paraqitjeve të saj para mediave, këngëtarja bëri me duar shqiponjën dykrenare si simbol i vendit tonë. Ky veprim i saj solli reagime nga serbët, të cilët i dedikuan një artikull me titull: “Skandal në Eurovision: Simboli i Shqipërisë së madhe, një provokim i turpshëm para gazetarëve”.
Në shkrimin e “Novosti” thuhej: “Përfaqësuesja e Shqipërisë, Anxhela Peristeri dhe bashkëpunëtori i saj dolën para shtypit dhe treguan simbolin e Shqipërisë së Madhe, të ashtuquajturën “shqiponja dykrenare” në mënyren shqiptare. Ju kujtojmë se Eurovision në parim ndalon promovimin politik në veprimtarinë e saj”.
Ndaj këtij “sulmi” kundrejt Anxhelës, ka reaguar ashpër edhe producenti i njohur, Ardit Gjebrea, i cili i ka konsideruar gazetarët serbë të sëmurë mendorë.
Në InstaStory-n e tij, ai ka publikuar si foto artikullin e medias në fjalë, ku shkruan:“Përfundimisht, këta janë të sëmurë mendorë”.