Mediaset duket se nuk është më e kënaqur me “Perandorinë Mediatike” që zoteronte deri më tani në sektorin e medias vizive, shtypit të shkruar dhe online. Ambicjet e grupit më të fuqishëm mediatik në Itali po synojnë tashmë “pushtimin” edhe të një tjetër sektori në fushën e medias, atë të radios. Ditën e djeshme është prezantuar zyrtarisht krijimi i «RadioMediaset», kompania nga do të varen të gjitha aktivitetet radiofonike të Mediaset.
Pas blerjes, vjeshtën e kaluar, të Radio R101, perimetri i grupit të udhëhequr nga Fedele Confalonieri dhe Pier Silvio Berlusconi, kompletohet me 3 stacionet e tjera: Radio105, Virgin Radio dhe Radio Monte Carlo. Buqeta e përbërë nga 4 stacione radiofonike tashmë përfaqëson grupin e parë radiofonik në Itali më të rëndësishëm për nga audienca dhe të ardhurat nga reklamat.
Kompania që administron të ardhurat e reklamave, Mediamond ka për aksionerë në masën 50% Mediaset dhe Mondadori, dhe menaxhon tregun e reklamave për 8 stacione radiofonike: R101, Radio 105, Virgin Radio, Radio Monte Carlo, Radio Italia, Radio KissKiss, Radio Subasio, Radio Norba.