Prokurori gjerman, Hans Kristian Uolters i ka shkruar prindërve të Madeleine McCann, duke u komunikuar atyre se vogëlushja e zhdukur në 2007 në Portugali, nuk jeton më.
“Kemi prova konkrete se i dyshuari ynë e ka vrarë Madeleine” ka thënë prokurori duke iu referuar 43 vjecarit Kristian Brueckner, që është dënuar tashmë për pedofili. “Ju qëndrojmë pranë në dhimbjen tuaj”, ka shkruar më tej Uolters në letrën drejtuar prindërve të vogëlushes.
Për prokurorin gjerman, publikimi i më shumë detajeve, në këtë moment, mund të vendoste në rrezik hetimet që vazhdojnë. Në fillim të qershorit, prokuroria e Braunshveigut, kishte njoftuar se po hetonte për vrasje Brueckner, që aktualisht ndodhet në burg në gjermani. Në operacionin gjigant të kërkimit të vogëlushes Medi, që asokohe ishte vetëm 3 vjeç, janë angazhuar edhe policitë britanike dhe portugeze, por policia gjermane ishte e vetmja që e kishte mbështetur hetimin e saj në tezën se vogëlushja nuk jeton më.