Ende nuk e kemi të qartë si do funksionojë plazhi këtë verë. Do jetë i hapur, do jetë i mbyllur, do ketë plazhe të lira, do ketë apo nuk do ketë çadra, por sido që të jetë shumica prej nesh kanë nostalgji për atë mënyrën arkaike të të ikurit në plazh, që kërkonte përgatitje të kujdesshme një ditë më parë. Prandaj ndiqni listën tonë dhe komentoni nëse keni jetuar një nga këto situata.
1.Në plazh iknim me tren
Autobusi ose treni ishin mjetet e vetme të cilat na lejonim të udhëtonim, megjithëse për të ikur në plazh, treni ishte më i përshtatshëm dhe komod. Nëse keni ikur në plazh me shoqërinë, besoj se e mbani mend “luftën” që ndodhte kur hyje në tunel dhe frikën nga ndonjë shapkë që mund të fluturonte kokës.
2.Buka me vete
Atëherë nuk kishte markete, kioska, apo restorante prandaj dhe ushqimi merrej me vete. Shalqi, djathë, domate, kastravecë, rrush, vezë e zier, bukë e lyer me gjalpë ishin disa nga ushqimet e paketuara. Djemtë ndihmonin vajzat me mbajtjen e çantave apo trastave ndërkohë që këto të fundit zinin vendin në tren.
3.Çadër e bërë vetë
Nëse prindërit tuaj preferonin qetësinë, ti me siguri ke pasur një çadër të bërë vetë. Çarcafë me bollëk dhe disa shkopinj apo kallama druri dhe në pak minuta, tenda e plazhit ishte gati. Tenda e bërë vetë ishte e përshtatshme për më shumë se një familje, ndonëse si fëmijë ndieje një zili ndaj atyre çadrave ngjyra-ngjyra ku qëndronin të tjerët.
4.Kamardaret me goma makinash
Kush nuk ka ka qenë ziliqar për atë grupin e çunave që kishin një rrotë të madhe makine dhe e përdornin si kamardare. E madhe, e zezë e gatshme për aventura, zhytje, hedhje, not e pasdite të këndshme ishin të garantuara. Nëse goma çahej, ajo nisej të ndonjë usta që ë ngjiste dhe të kërkonte kujdes në përdorim.
5.Vaji i ullirit vaji nxirës bio
Çdo gjë ka qenë bio dhe organike, sikurse përdorimi I vajit të ullirit për nxirje. Por vajzat kanë qenë plot fantazi dhe atëherë sepse vaji I ullirit bashkohej me lëng karote dhe ujë deti, një formulë perfekte edhe sot. Përdoreni nëse nuk e keni ditur më parë.
6.Kosi ishte kremi mbas plazhit
Në atë kohë rrezitja bëhej në orare të caktuara dhe nëse nuk e respektoje orarin, do kaloje natën i/e lyer me kos dhe me dhimbje të tmerrshme. Zakonisht familjari që të lyente me kos të qortonte si për të të shtuar edhe më shumë dhimbjen.
- Xhirot buzë detit
Shëtitjet në mëngjes herët apo paasdite vonë, ishin pjesa më e bukur e plazhit. Shoqe, shokë, familjarë, shëtitja buzë detit ishte argëtim i jashtëzakonshëm dhe mënyra më e mirë për njohje apo simpati të reja.
- Akulloret me kaush
Akullore, parfe, kasata, limonata, mollë me sheqer sido që të ishte mosha, kur kalonte xhaxhi me karrocë, grumbulli i personave rritej menjëherë. Akulloret kishin dy shije, spërdridheshin në kaushin i cili kafshohej tradicionalisht në majë, për të pritur akulloren që rridhte nga poshtë./NGA ZHAKLIN LEKATARI