Prej datës 2 janar, në ekranin e Top Channel nisi rrugëtimin reality show “Më thuaj një dëshirë”.
Shumë shpejt, me historitë prekëse por edhe gazmore, ky program u kthye ndër më të ndjekurit në ekranin e televizorit por edhe në rrjet, ku në Youtube numëron miliona klikime.
Nën moderimin e Fjoralba Ponarit, programi u ndal në shkolla të ndryshme ku u mblodhën dëshirat frymëzuese të fëmijëve shqiptarë, të cilat më pas u realizuan në formë surprizash.
Altruizëm, emocione dhe shumë dashuri! Ky ka qenë lajtmotivi i këtij programi familjar që sot ka mbyllur siparin. Me zërin që i dridhej dhe mes lotësh, Fjoralba Ponari nuk arriti dot të bënte mbylljen, por dha një lajm të mirë për të gjithë ndjekësit e programit; “Më thuaj një dëshirë” do të ketë një sezon të dytë televiziv, ku do të udhëtojë në gjithë qytetet e tjera shqiptare.