Edona James, banorja e njohur e formatit të famshëm televiziv “Big Brother VIP Kosova”, ka rrëfyer një histori të trishtë mbi përballjen me bullizmin gjatë jetës së saj. Me afërsinë e finaljes së këtij spektakli, debatet dhe tensionet brenda shtëpisë po intensifikohen, dhe banorët janë duke u ballafaquar me pyetje të ndjeshme dhe sfiduese nga publiku.
Gjatë një sesioni të pyetjeve të drejtuara nga publiku, Edona u pyet rreth sjelljes së saj bullizuese brenda shtëpisë, duke iu referuar faktit se ajo vetë ka qenë viktimë e bullizmit. Edona shpjegoi se bullizmi ka qenë një pjesë e pandashme e jetës së saj, dhe se ajo ka mësuar të luftojë që nga fillimi për të mbrojtur veten. “Jam mësuar pa ia nis lufta, me luftu. Sulmoj për tu mbrojtur. Nuk është ndjenjë e mirë por unë nuk mundem që të ta ndaloj sepse në jetën time ti nuk e din se si është me u gjykuar,” u shpreh ajo.
Në një rrëfim emocionues, Edona zbuloi se ka përjetuar kërcënime dhe gjykime të ashpra nga publiku, sidomos pas një interviste televizive. Ajo tregoi se është kërcënuar me vetëvrasje dhe i është thënë se “nuk ka të drejtë të jetojë” për shkak të ndryshimit të gjinisë. “Kosova më ka gjykuar shumë për një intervist që kam dhënë në television, më kanë thënë që mbyte veten, vare veten se ti nuk ke të drejtë të jetosh se ke ndëruar gjininë dhe je kundër zotit,” u shpreh Edona.
Ky rrëfim i banores së “Big Brother VIP” Kosova hedh dritë mbi sfidat dhe vështirësitë që përballen nga individët transgjinorë në shoqërinë e sotme, dhe ngre një alarm për nevojën e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes ndaj tyre.