Sigurisht që bëhet fjalë për një bashkëpunim dhe pikërisht atëherë kur menduam se me largimin e verës dhe uljen e temperaturave, nuk do të kishim më surpriza në muzikë. Dafina Zeqiri dhe Alban Skënderaj janë dy prej artistëve më të njohur e të suksesshëm të vendit tonë, secili në zhanrin e tij, prej shumë vitesh duke dominuar playslist-at dhe klasifikimet, patjetër edhe skenat e koncerteve.
Megjithatë duhet ta pranojmë që një “bashkim forcash” mes këtyre dy artistëve nuk e kishim menduar, por sërish ja tek jemi, teksa ata janë gati që të hedhin në treg bashkëpunimin e tyre të parë, për të cilin sipas Dafinës janë dashur shumë vite që të vijë në jetë. Të paktën kështu thotë postimi i saj në Instagram.
“Më në fund ja dolëm”, është fjalia kryesore që bie në sy, bashkangjitur me fototn e dy artistëve, me shumë gjasë shkëputur nga klipi i këngës, ndërsa mësohet se projekti mban emrin “Copa Copa”. Nga titulli mund të kuptojmë që do të jetë një këngë dashurie, sepse askush tjetër nuk e ka fuqinë që të na e bëjë zemrën copash ashtu si Albani dhe Dafina.
E me gjithë kureshtjen e mundshme për “Copa Copa”, po presim që ta dëgjojmë…