Parler, një rrjet social i konsideruar si bastion i fjalës së lirë ka pasur aq shumë kërkesa sa tani po përballet me probleme për shkak të bllokimit të shkaktuar nga numri i madh i përdoruesve të rinj, të cilët janë duke kaluar masivisht në këtë platformë të revoltuar sidomos nga kufizimet në Twitter.
“Parler ka shpërthyer. Mijëra përdorues po shtohen në minutë dhe po krijojnë padashur ngërçe teknike për shkak të mbingarkesës”, tha aksioneri kryesor i tij, Dan Bongino, ndërsa mohoi me forcë zërat se platforma është shitur.
Rritja e papritur e numrit të përdoruesve të rinj e ka bërë Parler aplikacionin më të shkarkuar në Amerikë në dyqanin Google Play sot, duke tejkaluar platformat si TikTok, Instagram dhe Twitter. Përpara qershorit, ai kishte një mesatare prej rreth 2,000 shkarkimesh. CEO John Matze i tha Forbes në muajin qershor se nuk ka “ kontroll të fakteve” në këtë aplikacion dhe kushdo mund të flasë lirshëm.
Parler e përshkruan veten si një rrjet social “ të paanshëm, ku lejohet fjala e lirë dhe që është i fokusuar te mbrojtja e të drejtave të përdoruesve të tij”. Parler po shton tani aq përdorues në minutë sa fitonte dikur në një ditë, sipas raporteve në media.