Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) nëpërmjet një deklarate për shtyp ka njoftuar ndryshimin e datës së afatit për mbylljen e transmetimit analog në qarkun e Beratit. Ndërsa ishte njoftuar më parë nga vetë autoriteti se data 3 Korrik 2017 do të niste epokën e transmetimit të televizionit digjital, AMA në zbatim të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, njofton se afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge në qarkun e Beratit do të jetë data 15 Gusht, 2017.
Për sa më sipër, AMA tërheq vëmendjen e të gjithë subjekteve audiovizivë që ushtrojnë veprimtari televizive analoge në qarkun e Beratit, në marrjen e masave për të mbështetur programin e tyre në rrjetin numerik të RTSH-së, ose në njërin prej rrjeteve numerike kombëtare të licencuara nga AMA.
Nga ana tjetër, AMA kërkon nga publiku i cili përfiton transmetimet televizive nëpërmjet teknologjisë analoge, të pajiset me marrës digjital (dekoderë universalë të tipit DVB-T2), pasi në të kundërt, mbas datës 15 Gusht 2017, nuk do të mund të shohë më transmetime televizive në këtë qark.