Mbyllja e papritur e emisionit investigativ “Publicus” në Vizion Plus, ka ngjallur reagime të shumta, gjithashtu edhe nga Partia Demokratike.
Nëpërmjet një deklarate për mediat deputetja Grida Duma akuzon Kryetarin e Bashkisë Tiranë, si përgjegjësin kryesor për mbylljen e këtij programi investigativ, pasi ky i fundit kishte zbuluar fakte tronditëse mbi Landfillin e Sharrës, episodi i të cilit do të transmetohej këtë të Dielë.
Më poshtë gjendet edhe deklarata e PD:
Dje ishte një ditë e keqe për lirinë e medias, për lirinë e shprehjes për demokracinë në Shqipëri.
Erion Veliaj, si kopje e keqe e Edi Ramës, si mëkëmbësi i tij për të gjitha aferat në Bashkinë e Tiranës mbylli një emision investigativ në Vizion Plus.
Një emision që po hetonte krimin e tij në Sharrë, aty ku humbi jetën dy muaj më parë 17 vjecari Ardit Gjoklaj.
Teksa emisioni “publicus”, ishte paralajmëruar dhe pritej të shfaqte dje në darkë investigimin në Sharrë, rolin e përgjegjësinë e Erjon Veliajt në atë sipërmarrje të paligjshme, korruptive e kriminale, papritur, televizioni Vizion Plus vendos të mos e transmetojë dhe e mbyll programin.
Kjo është hera e dytë që Erion Veliaj ndërhyn dhe mbyll programe që guxojnë të hetojnë mbi aferën e tij. Në rastin e parë, Veliaj shkarkoi nga puna drejtoreshën e informacionit që tentoi të hidhte dritë mbi Sharrën, kësaj radhe Veliaj zhduku emisionin investigativ.
Kjo është një ngjarje e rëndë për median, për lirinë e shprehjes, për një prej themeleve të demokracisë. Një ngjarje e paprecedent që ndodh në një vend që kërkon të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Erjon Veliaj si kopja e keqe e Edi Ramës po shfaqet si një xhelat i medias dhe fjalës së lirë.
Partia Demokratike e dënon ashpër këtë ngjarje dhe nxit organizatat e medias në vend që të reagojnë, të ngrenë zërin, të mos pajtohen me këtë ndërhyrje brutale e të papranueshme të Erion Veliajt.
Partia Demokratike beson se partnerët ndërkombëtarë, ambasadorët e vendeve mike, do ta mbajnë shënim rastin dhe do të mbajnë qëndrimin e duhur.
Ne i inkurajojmë autorët e programit ta bëjnë publik investigimin e tyre.
Prokuroria e Tiranës është nën detyrim ligjor të mos mbajë të mbyllura dosjet e Erjon Veliajt, por të zbatojë kushtetutën e të cojë para hetimin për aferën korruptive e kriminale të landfillit të Sharrës.
Nuk mund të pranohet më që Erjon Veliaj, ky armik i ligjit, i medias dhe shprehjes së lirë të bëjë ctë dojë me Bashkinë e Tiranës, me taksat e qytetarëve, e të sundojë televizionet e gazetat në vend në emër të interesave të tij financiare e kriminale.
Deklarata për mediat e Sekretares së Marrdhënieve me Publikun, Grida Duma, 10 Tetor 2016