Traileri përmbledhës na bën të besojmë se finalja e sezonit të parë të $NOB do të jetë dramatik, me shumë të vërteta që do të dalin në sipërfaqe, sekrete të errëta që do të zbulohen dhe pothuajse të gjithë do të jenë të kërcënuar.
Linda i komunikon Bojkenit se “kanë marrë dosjen e aksidentit” dhe e ka fjalën për dosjen që u përpoq të merrte Albani për Paulinin, por Luisi u tregua më dinak. Për çfarë aksidenti bëhet fjalë dhe kush është i përfshirë në të?
“Një pjesë e imja e falenderon, pjesa tjetër e urren. Dualizëm i lezetshëm,” i thotë Luisi Xhesikës me një ton që të bën të mendosh se ky personazh ka një të kaluar të errët, të trishtë, të frikshme ose të rrezikshme.
“Ti po jeton si mbret, me gjakun e djalit tënd,” i thotë ai dikujt (aktori Agron Shala), që i bën edhe më dramatike ngjarjet. Sikur të mos mjaftonin, Xhesika qëndron e ulur në karrige dhe e lidhur. A ka gisht Luisi?
Franci, i ati i të cilit është kushëri me Paulinin, e kërcënon këtë të fundit duke i thënë se “vetëm mbi trupin tim të vdekur ke për t’i bërë keq atij”. Që prej fillimit, Franci ka spikatur, ndër të tjera, për natyrën shumë mbrojtëse ndaj miqve të ngushtë. Ndoshta bëhet fjalë për Bojkenin.
Paulini është penduar që i ka besuar më shumë seç duhet Albanit, ndërkohë që Admiri duket se diçka fsheh me Luisin.
Kristela dhe Albani janë zhdukur. “Ç’jam unë për ty?” e pyet ajo në një moment. Ndoshta Kristela është gati të rrezikojë shumë për Albanin, po a është ai vallë?
Jo e qetë duket situata edhe për Tesën dhe familjen e saj të vogël. “Më fal se ia dedikova jetën të vdekurve dhe të harrova ty zemra e mamit,” i thotë e ëma.
Franci duket se është infiltruar në barin për gay që frekuenton Luisi. “Të pres jashtë” thotë ai. Çfarë ka në plan Franci?
Finalja e $NOB transmetohet të dielën, ora 20:00 në Top Channel; ritransmetimi të mërkurën, ora 23:30. Në $NOB.al mund t’i shihni të gjitha seritë me titra shqip dhe anglisht, pa asnjë ndërprerje publicitare për 60 minuta.