Përmbyllet procesi i legalizimeve në Dimal (ish-Ura-Vajgurore), dhe fshatrat Pashalli, Guri i Bardhë, Cukalat, Samaticë, Pobrat etj, pjesë e zonave kadastrale të kësaj bashkie.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, i shoqëruar nga Ministri i Turizmin dhe Mjedisit Blendi Klosi ka shpërndarë certifikatat e pronësisë dhe lejet e legalizimeve për bashkinë Dimal dhe zona të tjera kadastrale të kësaj bashkie.
Rreth 140 leje legalizimi dhe 260 certifikata pronësie toke të përfituara nga Ligji 7501 janë shpërndarë në bashkinë Dimal.
Në fjalën e tij, Drejtori i ASHK-së, Artan Lame u shpreh se me mbylljen e procesit të legalizimeve do të fillojë procesi i verifikimit të tokës bujqësore. “Kadastrat do të fillojnë një proces të rëndësishëm atë të regjistrimit të tokës bujqësore në çdo fshat dhe kjo është edhe sfida më e madhe e Kadastrës. Njerëzit kanë nga 30 vjet që presin certifikimin e tokës një proces që filloi me ligjin 7501 dhe do të përmbyllet sot”, ka thënë Lame.
Kryebashkiakja e bashkisë Dimal, Juljana Memaj u ka kërkuar të gjithë banorëve të fillojnë aplikimet për certifikimin e tokës deri në përfundimin e afateve të përcaktuara.