Episodi i parë për këtë sezon të ri të emisionit “Shqip nga Rudina Xhunga” që do të transmetohet të henen, do të jetë edhe I fundit. Burime të sigurta nga Top Channel tregojnë për Anabel se programi më I vjetër I televizionit, “Shqip nga Rudina Xhunga” nuk do të shfaqet për një kohë të pacaktuar.
Thuhet se Xhunga do të nis përgatitjet për një format të ri, por ende nuk dihet nëse do të vijojë nën emrin klasik “Shqip”, apo do të sjellë diçka krejtësisht të re. Por le t’I rikthehemi pak në kohë, një prej programeve më me influencë në çështjet socio-politike dhe kulturore mbarëshqiptare.
“SHQIP”, programi qe Dritan Hoxha, besoi të parin!
“Shqip” është emisioni I parë që ka dalë në transmetim në Top Channel në 3 Maj të vitit 2002. I hartuar për të qënë një program socio-politik, pronari I ndjerë I televizionit, Dritan Hoxha, ia besoi drejtimin dhe realizimin, gazetares më të suksesshme të momentit në këtë lloj profili, Rudina Xhungës, e cila asokohe moderonte programin politik primetime “Dritare” në RTSH.
Që në episodin e parë me një intervistë me kryetarin e opozitës atëherë, zotin Sali Berisha programi kapi kulme shikueshmërie, për të vijuar me një tjetër debat tepër të nxehtë, që do sillte edhe ftohjen (që vazhdon ende e kësaj dite) midis dy miqve të ngushtë, kryetarit të bashkisë Edi Rama dhe publicistit Fatos Lubonja.
“SHQIP” – Emisioni i parë investigativ
“Shqip” nisi politikisht, por nuk u mbështet asnjëherë vetëm në ngjarje politike dhe në të ftuar politikanë. Rudina Xhunga, nëpërmjet trajtimit të çeshtjeve të ndryshme shoqërore deri edhe në hetime të mirëfillta, arriti të zbardhte edhe skandale që do të ndryshonin shumë gjëra në mënyrën se si trajtoheshin shqiptarët. “Një prej emisioneve, që shënoi fillimin e gazetarisë investigative në Shqipëri”, siç e përkufizoi presidenti I atëherëshëm Rexhep Mejdani, ishte ai që trajtoi skandalin e përkthyeses greke Vavacula. Ajo paraqitej në gjykatat greke si njohëse e gjuhës shqipe dhe përkthente për imigrantët shqiptarë, por falë hetimit të gazetares Xhunga, u zbulua se Vavacula nuk kuptonte fare shqip. Kjo solli jo vetëm pushimin e menjëhershëm të përkthyeses, por edhe rishikimin e proçedurës së mbrojtjes që u bëhej imigrantëve shqiptarë në Greqi.
“Shqip” – Programi që ri-prezantoi dhe bashkoi shqiptarët
“Shqip” ishte programi I parë që shkoi përtej trajtimeve të çështjeve lokale që bënte media shqiptare asokohe dhe I kushtoi një pjesë të rëndësishme të saj politikës dhe jetës sociale të Kosovës dhe Maqedonisë, duke sjellë në studio figura të njohura të lëvizjeve socio-politike për çështjet shqiptare si Arbër Xhaferri, Veton Surroi etj.
Në vitin 2004, Rudina Xhunga ishte e para që udhëtoi në Çamëri, toka e cila ishte identifikuar gjithmonë me luftën dhe mallin, por asnjëherë nuk ishte parë nga shqiptarët për bukuritë e saj të jashtëzakonshme.
Ky udhëtim hapi edhe një tjetër dritare në përmbajtjen e “Shqip”, duke shfaqur herë pas here jetët e shqiptarëve të larguar prej shekujsh në vende të ndryshme të Europës, që e ruanin me zell gjuhën shqipe. Një prej dokumentarëve më të veçantë u xhirua në Ukrainë, ku disa orë larg Odesës, jetonte një komunitet shqiptarësh të larguar që në kohën e Skenderbeut, që ende flisnin shqip.
“Shqip” iu kushtua në shumë episode edhe çështjeve kombëtare, duke sjellë diskutime dhe intervista me historianë si Prof.Dr. Kristo Frashëeri, por edhe duke zbardhur shumë të vërteta mbi zhvillimet historike shqiptare përgjatë shekujve, të mbajtura peng deri atëherë nga ideologjizmat komuniste.
“Shqip” – Fytyra europiane e Top Channel
Me shtimin e kanaleve televizive, debatet politike u bënë pothuajse të përditshme dhe Xhunga nisi të projektonte një “Shqip” që nuk duhet të kishte kurrsesi qëllim në vetvete debatin dhe sherrin pozitë-opozitë. Përtej një informacioni të thjeshtë, Xhunga kërkoi edhe më shumë. Ajo risolli kulturën, aq shumë të munguar, kryesisht në programet Primetime, që fatkeqësisht për shkak të garës së ashpër të shikueshmërisë, janë bërë viktima të subjekteve sipërfaqësore si konkurseve argëtuese, skandalistikës apo sherreve politike.
Ky emision, ishte i pari që konkurroi me pjesën tjetër të medias primetime, me intervista nga shqiptarë që po korrnin sukses në botë si tenori Saimir Pirgu, sopranoja Ermonela Jaho, artistët Anri Sala apo Adrian Paci.
Intervistat me shqiptarë të famshëm, kombinoheshin edhe me takimet e jashtëzakonshme të gazetares Xhunga me emrat më të mëdhenj të letërsisë bashkohore botërore.
Nëpërmjet “Shqip”, shqiptarët biseduan me nobelistët Orhan Pamuk, Jonathan Franzen, Anthony Giddens, Amos Oz. Xhunga takoi nga afër, shkrimtarin më të diskutuar dhe më të luftuar të momentit nga bota arabe, Salman Rushdie. Këtë shtator, ajo intervistoi francezin Michel Houllebecq , për të cilin është shkruar se “ka rikthyer letërsinë franceze” dhe konsiderohet si një nga orakujt e së ardhmes, përsa I përket roleve të shteteve të fuqishme në udhëheqjen globale. Madje portreti I tij ishte në kopertinën e revistës “Charlie Hebdo” ditën e sulmit famëkeq ndaj redaksisë.
Rudina Xhunga – Shkrimtarja bestseller
Rudina Xhunga është absolutisht një nga asetet e televizionit “Top Channel”, jo vetëm si gazetare dhe si kontribuese në ngritjen e imazhit të këtij televizioni duke përçuar mbi të gjitha kulturën e shumëmunguar në programacionet shqiptare, por edhe si një shkrimtare. Libri I saj I dytë “Preja e një martese të lodhur” është bestselleri I parë shqiptar pas rënies së komunizmit, për të vijuar me një tjetër bestseller letrar “Sikur Ana…”, dy libra që vazhdojnë të blihen e të lexohen edhe sot e kësaj dite.
Krahas botimeve letrare, Xhunga I ka dhuruar lexuesit dhe kulturës shqiptare tre botime publicistike “12 Porositë e Arben Xhaferrit”, “Fletorja e luftës” dhe “Shkrimtarët e Shekullit”, ku përfshihen intervistat e transmetuara në programin “Shqip” me shkrimtarët e famshëm të letërsië bashkohore botërore. Në parathënien e këtij libri, kryeministri Edi Rama shkruan: “Një shfaqje e rrallë për të mos u humbur”.
Marrë nga Anabel