Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet për biznesmenin italian Francesco Becchetti dhe administratorin e televizionit “Agon Channel” Mauro De Renzis, të cilët aktualisht ndodhen në Angli dhe janë në pritje të vendimit të Gjykatës atje nëse do t’i ekstradojë apo jo në vendin tonë. Brenda javës së parë të dhjetorit pritet që biznesmenit italian t’i komunikohet akuza në mungesë. Kjo akuzë do t’i dorëzohet avokatit të cilin Gjykata e ka caktuar si për Becchettin ashtu dhe për De Renzis, pasi të dy këta shtetas kanë nga drejtësia shqiptare masë sigurie “arrest me burg” në mungesë.
Becchetti dhe De Renzis do të akuzohen për mos pagim taksash, evazion fiskal, vjedhje, mashtrim si dhe falsifikim dokumentesh. Më 8 qershor të këtij viti Prokuroria e Tiranës vendosi sekuestro preventive mbi pronat e Becchettit ndërsa vetë biznesmeni rezulton se ëështë larguar nga Shqipëria prej muajit shkurt duke ju shmangur drejtësisë dhe arrestimit të tij. Që prej nisjes së hetimeve ku u ngrit dhe pista e pastrimit të parave Becchetti i mohoi akuzat dhe kërkoi me avokatët e tij heqjen e “arrestit me burg” dhe të sekuestros ndaj pronave mes tyre dhe “Agon Channel”.
Prej shkurtit të vitit 2015 biznesmeni dhe administrator italian i televizionit lanë Shqipërinë për tu ndaluar nga policia londineze vetëm 3 javë më parë. Drejtësia angleze i ka lënë ata në masë sigurimi “detyrim paraqitje me kusht” dhe në 7 dhjetor pritet që të jetë seanca e radhës ku do të shqyrtohet kërkesa e Interpol Tiranës për ekstradimin e tyre.
Marre nga Shqiptarja.com