Disfatat e njëpasnjëshme në investimet e sipërmarrësit Rezart Taçi kanë arritur të prekin edhe investimin e tij në fushën e medias. Kanali i të gjithë shqiptarëve, Albanian Screen do të mbyll transmetimet pas pak ditësh. Lajmin për këtë vendim të drejtuesve e ka njoftuar vetë Taçi. Pas përpjekjeve të shumta për të kapërcyer gjendjen financiare ku ishte zhytur një nga televizionet më të njohur në Shqiperi mbyllja e transmetimit duket se ka qenë zgjidhja e fundit që i jep drejtim fatit të AS.
Edhe pse ende nuk ka një datë zyrtare kur sinjali i AS do të fiket për t’i dhënë lamtumirën e fundit publikut që e ndoqi për 15 vite, fillimisht si ALSAT dhe në vazhdim si Albanian Screen duket se çdo gjë ka marrë fund dhe nuk ekziston asnjë mundësi shpëtimi nga ndonjë investitor i ri. Për më tepër, nga burime tonat mësohet se aparaturat janë nxjerrë në shitje.
Televizioni Albanian Screen u themelua në vitin 2003 si kanali i parë satelitor shqiptar me një programacion të formatit thellësisht informative dhe deri në vitin 2010 ka mbajtur emrin ALSAT në pronësi të Vehbi Veliaj. Me ndryshimin e pronësisë, programacioni ka pësuar një ndryshim thelbësor dhe televizioni ka kaluar nga formati informativ në atë të një televizioni gjeneralist duke ridimesionuar gjithçka në drejtim të informimit, edukimit dhe argëtimit.
Që në fillimet e tij si AS televizioni u kthye në një nga konkurrentët më të fortë të televizioneve gjeneraliste të tregut mediatik shqiptar. Me një programacion inovativ që i afrohej konceptit amerikan AS arriti të krijoj një audiencë të besuar teleshikuesish. Një nga pikët e forta ka qenë serialet më të njohur të momentit, nga serialet amerikan, latin dhe turk. Një ndër titujt më të suksesshëm edhe “Sulejmani i Madhërishëm”. Po kështu, nuk kanë munguar as emrat e njohur të televizionit shqiptar që kanë qenë pjesë e AS duke filluar nga Dhimitër Gjoka, Desada Metaj, Gerti Carçani, Jonida Shehu, Bledian Koka, Blerta Tafani, Juli Xhokaxhi, Juli Krisafi, Joli Rremaj, Aleksandër Furxhi, Eni Vasili, si edhe amerikani Janusz Bugajski me emisionin “Bugajski Hour”.