Mbulimi i zonave të veçanta të vendit me rrjet të shërbimeve celulare mbetet një problem ende në vitin 2020. Bëhet fjalë kryesisht për zona me terren të vështirë dhe ku operatorët nuk kanë interes ekonomik për të vendosur rrjetet e tyre të shërbimit, për shkak të numrit të pakët të abonentëve.
Për të zgjidhur këtë problem, në vitin 2015 Këshilli Drejtues i AKEP nxori vendimet të posaçme që operatorët e telefonisë celulare të zbatonin detyrimet për mbulimin me shërbime broadband të zonave me dendësi të ulët dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ofruar në zona të caktuara.
Nëpërmjet këtyre vendimeve u përcaktuan edhe zonat për mbulim me shërbim nëpërmjet investimeve të përbashkëta. Megjithëse mbulimi me shërbim duhet të mbyllej brenda vitit 2016, ende sot pjesa më e madhe e këtyre zonave nuk janë mbuluar me shërbim dhe vendimi i Këshillit Drejtues të AKEP nuk është zbatuar.
Sipas auditimit të protuberancës, të kryer vitin e kaluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ofrimi i shërbimit është mundësuar vetëm për zonat e Vermoshit dhe Valbonës. Për katër zonat e tjera të parashikuara në vendimin e AKEP, konkretisht Gërmenj, Kepi i Rodonit, Shkopet dhe Grykë Nokë, ende në fund të vitit 2019 nuk ofrohej shërbim.
Sipas AKEP, operatorët e telefonisë celulare pretendojnë se kanë pasur probleme me marrjen e lejes për vendosjen e antenave, ndërkohë që vetë AKEP nuk ka ndërmarrë asnjë masë për adresimin e problemeve të hasura dhe për moszbatimin e vendimeve të saj.
Ndërkohë jemi në prag të kapërcimit të radhës në teknologjinë 5G të shërbimeve të lëvizshme, ende shumë zona të vendit nuk kanë mbulim me internet broadband nga rrjetet e lëvizshme, madje disa prej tyre nuk kanë as mbulim bazik me sinjal GSM.
Sipas AKEP, mbulimi i territorit me rrjet 4G për vitin 2019 rezulton rreth 73%, nga 57% që raportohej për vitin 2018. Ndërkohë, gjithnjë mbështetur në shifrat zyrtare të AKEP, mbulimi i popullsisë ka arritur në rreth 95%.