Mbrëmja e parë e fillimit të kësaj jave ka ofruar zgjedhje mes dy kontrasteve për teleshikuesit. Nga njëra anë argëtimi nuk ka munguar, me programet “X Factor” në Tv Klan dhe “Dancing with the stars” në Vizion Plus. Në kahun tjetër, kryeministri Edi Rama bëri daljen e tij të parë publike këtë vit në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës në Top Channel, ku foli për temat më të nxehta të momentit si çmimet e naftës, 21 janarin, marrëdhëniet me opozitën etj.
Por, audienca, e lodhur nga bombardimi i përditshëm me lajme, ka zgjedhur të argëtohet, sipas të dhënave nga kompania e matjes së audiencës, Telemetrix.
TV Klan, me emisionin për zgjedhjen e talenteve “X Faktor” e ka nisur mbrëmjen me një rating prej 16% (Rating – tregon shikueshmërinë gjatë një fashe kohore apo programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e totalit potencial të audiencës; pra duke përfshirë edhe familjet që nuk janë duke parë televizor). Audienca ka rënë disi, me fillimin e intervistës së kryeministrit të Top Channel, në orën 21.00, por gjithsesi ka arritur të ruajë kryesimin. Intervista e kryeministrit në Top Channel, ka qenë zgjedhja e dytë për shikuesit. Në fashën orare 21.00-22.00, Rama është “kënaqur” me një rating maksimal prej 11%, të arritur vetëm gjatë kohës kur TV Klan kishte ndërprerje publicitare.
Sezoni i pestë i “Dancing ëith the stars” në Vizion Plus nuk po arrin të tërheqë aq vëmendje si në spektaklet e kaluara. Të hënën, ai është renditur i treti për nga audienca, me një rating që nuk i ka kaluar 9% në orën 21.00-22.00.
Vetëm pas mbarimit të X Factor në orën 22 të mbrëmjes, “Shqip” ka parë një rritje të audiencës, duke kaluar i pari, gjithsesi jo aq të lartë (me një rating maksimal arriti në 14%), teksa shumë teleshikues e kanë ndalur telekomandën në spektaklin e Vizion Plus, që dhe ai pa një rritje të rating në gati 11%.
Metodologji
Telemetrix SH.A., që operon zyrtarisht që prej muajit shtator 2012 me instalimin e matësve të parë, ofron matjen e shikueshmërisë televizive në Shqipëri, realizimi i së cilës bëhet nëpërmjet teknologjisë dhe sistemeve më të fundit të përdorura në këtë fushë, si dhe një paneli të përzgjedhur rigorozisht për të arritur përfaqësueshmërinë e tregut, sipas burimeve zyrtare nga kompania.
“Kompania ka investuar gjerësisht në krijimin dhe prodhimin e një matësi elektronik – TiViMat (koncepti i ‘peoplemeter”) si dhe në programimin e një ‘softëare’ të fuqishëm për realizimin e matjes së shikueshmërisë televizive. Skuadra e ‘Telemetrix’ ka projektuar dhe zhvilluar të gjitha platformat e monitorimit dhe raportimit të të dhënave të shikueshmërisë për përdorim të klientëve të saj
Qe prej shtatorit 2014, “Telemetrix” ka një panel prej 375 familjesh të përzgjedhura rigorozisht sipas kritereve të paracaktuara, të vendosura në 7 qytete kryesore të Shqipërisë; Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri Berati dhe Korca.
Baza e të dhënave të gjeneruara nga “Telemetrix” është “në nivel minute; “Rating per Minute” në nivel familjeje (household).