Në mënyre ilegale, Autoriteti i Mediave Audiovizive zhvilloi sot një mbledhje, në tentative për t’i dhëne shoqërisë “ADTN” sh.a me administrator Dritan Shakohoxha, licencën kombëtare private të transmetimit audioviziv. Por votimi ka përfunduar me rezultatin 4 me 3, duke rezultuar i dështuar, pasi vendimi për dhënien e frekuencës kërkon të paktën 5 vota pro.
Mbledhja e kësaj te enjteje pason atë të datës 29 dhjetor 2016, kur AMA votoi 6 me 0 për dhënien e një licence kombëtare e po ashtu vendosi mos dhënien e saj për shoqërinë “ADTN”. Në të njëjtin takim, AMA vendosi skualifikimin e tre subjekteve te tjera aplikuese. Por megjithëse ky vendim skualifikimi është çuar në prokurori nga subjektet e interesuara, AMA është mbledhur sërish, për të ndare licencën e mbetur. Po ashtu, autoriteti nuk ka njoftuar palët e interesuara për mbledhjen e sotme, e nga ana tjetër nuk ka respektuar as afatet ligjore te ankimimit nga subjektet qe kontestuan vendimet e 29 dhjetorit.
Disa nga anëtaret e AMA konfirmuan për Vizion Plus, se ne relacionin shoqërues për mbledhjen nuk përmendej asnjë nga faktet e mësipërme. Mbledhja e radhës është lënë ne datën 27 janar, ndërsa nuk dihet ende nëse do te tentohet serish qe po ne mënyre ilegale te jepet licenca kombëtare.