Mbi 20 milionë brazilianë do të mbeten të privuar nga aksesimi i platformës “X,” e njohur më parë si “Twitter,” pasi Gjykata e Lartë në Brazil mbështeti vendimin për pezullimin e saj. Ky vendim erdhi pas një vendimi të mëparshëm të një gjykate të nivelit më të ulët, që urdhëroi pezullimin e platformës për mosrespektimin e ligjit brazilian, duke mos emëruar një përfaqësues ligjor vendas.
Paneli i Gjykatës së Lartë votoi njëzëri për të mbështetur këtë masë, duke theksuar se pezullimi do të mbetet në fuqi deri sa “X” të përmbushë kërkesat e ligjit brazilian dhe të paguajë gjobat e vendosura nga autoritetet. Tre nga gjyqtarët theksuan se pezullimi mund të anulohet vetëm nëse platforma përmbush kërkesat e mëparshme të institucioneve braziliane.
Reagimi i Elon Musk, pronarit të “X,” nuk vonoi, duke e përshkruar këtë vendim si një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe të drejtave të brazilianëve. Ai e quajti pezullimin një goditje serioze për përdoruesit e platformës në Brazil.
Përdoruesit brazilianë, të cilët janë rreth 21.5 milionë, do të vijojnë të mos kenë akses në platformë, dhe nëse kapen duke e përdorur në mënyrë të paligjshme, mund të përballen me gjoba të rënda. Me këtë vendim, Brazil mbetet tregu i gjashtë më i madh në botë për platformën “X,” por me një numër të madh përdoruesish që janë aktualisht të bllokuar nga shërbimi.