Mbrëmjen e djeshme kanë mbërritur në vend 15,210 doza të tjera të vaksinës Pfizer të cilat u pritën nga kryeministri Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Sipas kreut të vendit, objektivi është vaksinimi masiv me qëllim që muajt e verës i gjithë vendi të jetë i hapur dhe turizmi i lirë.
Përpos dozave të mbërritura dje, Rama tha se është konfirmuar gjithashtu marrja e 30,000 dozave të tjera në prill nga Pfizer dhe 14,000 doza të para nga Astra Zeneca përmes mekanizmit të Covax.
“Sot kemi marrë konfirmim nga Pfizer, që do të marrim 30 mijë doza të tjera për prillin. Kam shumë besim që shumë shpejt do të kemi një lajm shumë të mirë nga një anë sepse kemi ndërkohë të konfirmuara 14 mijë dozat e para nga Astra Zeneca përmes Covax-it, brenda mesit të marsit dhe nga ana tjetër po punojmë me disa burime të tjera.
Jam besimplotë që do të kemi së shpejti mundësinë e një vaksinimi intensiv në të gjithë territorin, për ta bërë këtë sezon të ardhshëm turistik një sezon me infektime me rënie drastike, me të cilin Shqipëria mund të jetë plotësisht e hapur për të gjithë që duan të vijnë.”
Aktualisht sipas ekspertëve situata në vend vijon të jetë ende delikate edhe pse nën kontroll.