Nisur nga dështimi për të tretën herë i zgjedhjes së drejtorit të ri të RTSH-së, mazhoranca “kërcënon” me ndryshim të ligjit për mediat audiovizive, nëse votimi dështon për herë të katërt. Paralajmërimi vjen nga deputeti i PS-së, Alfred Peza. Përmes një shënimi në faqen e tij në Facebook, Peza thotë se është e papranueshme që kjo histori të vazhdojë, prandaj mazhoranca duhet të përdorë forcën e shumicës në Kuvend për të bërë një ligj të ri që do t’i hapte rrugë zgjedhjes së kreut të ri të RTSH-së. Deputeti socialist shprehet se bashkë me një grup deputetësh do të propozojnë që zgjedhja e drejtorit të RTSH-së të bëhet njësoj si zgjedhja e Presidentit të Republikës.
“Duke futur ne proceduren e zgjedhjes se drejtorit te ri te TVSH, proceduren qe ndiqet ne rastin e zgjedhjes se Presidentit te Republikes. Sipas se ciles, nese ne tri heret e para deshton zgjedhja e drejtorit te ri te pergjithshem te TVSH me 2/3 e votave, ne votimin e 4 dhe te 5 zgjedhja te behet me shumicen e thjeshte te votave te Keshillit. Nese edhe pas kesaj drejtori nuk zgjidhet, atehere Keshilli shperndahet”- shkruan Peza.
Në shkrimin e tij ai e cilëson të qëllimshëm bllokimin nga opozita dhe thotë se drejtori i RTSH-së nuk mund të jetë një person më i rëndësishëm se Presidenti i Republikës, i cili në raundin e katërt zgjidhet me shumicë të thjeshtë dhe se Këshilli Drejtues nuk mund të jetë më i rëndësishëm se vetë Parlamenti që e ka zgjedhur. Edhe gazetari Mero Baze në editorialin e sotëm, duke analizuar krizën në RTSH, theksonte nevojën për ndryshim të ligjit ekzistues, në mënyrë që t’i hapet rruga reformimit të këtij institucioni.
Marre nga Lapsi