Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzuesin ku thuhet së gjatë raundit të dytë dhe të tretë të maturantëve për të aplikuar për degët e studimit, do të ketë ndryshime.
Ndërsa raundi i parë nuk ka pësuar ndryshime dhe studentët e ardhshëm do të kenë mundësi të përzgjedhin 10 degë studimi, në raundin e dytë ata do të kenë mundësi të aplikojnë për 7 degë studimi dhe në raundin e tretë për vetëm 5 degë.
Pas publikimi të listave me fituesit, maturantët kanë në dispozicion disa faza për të kryer regjistrimin në universitet. Por këtë vit, sipas udhëzimit të ministrisë edhe këtu do të ketë ndryshime. Kështu, në raundin e parë do të ketë 6 faza 48-orëshe nga 7 që kanë qenë më parë. Në raundin e dytë do të ketë 4 faza 48-orëshe nga 5 krahasuar me vitin e kaluar. Raundi i tretë do të vijojë me 3 faza 48-orëshe.
Për herë të parë kuotat e paplotësuara në përfundim të raundit të parë për çdo program studimi do të mund të përshtaten nga universitetet në programe të tjera studimi, por gjithçka do të bëhet duke njoftuar Ministrinë e Arsimit.
“Kuotat e paplotësuara në përfundim të raundit të parë për çdo program studimi mund të përshtaten nga IAL-të në programe të tjera studimi të të njëjtit cikël të ofruara brenda së njëjtës njësi kryesore, pa kaluar totalin e kuotave për njësi kryesore, dhe njofton zyrtarisht MASR për vendimin e senatit akademik mbi përshtatjen e kuotave të programeve të studimit. Në rast se përshtatja e kuotave është sipas përcaktimeve ligjore, MASR njofton IAL-të, RASH dhe QSHA për konfirmimin e përshtatjen së kuotave”, thuhet në udhëzues.
Maturantët kandidatë për studime në institucionet e arsimit të lartë do të aplikojnë online në portalin e maturës shtetërore me formularët A1 dhe A1Z. z.tosku.j.p/