“Masterchef Albania” është gati për të filluar sezonin e dytë të spektaklit më të ndjekur me sfidat e gatimit.
Kanë qenë me qindra konkurrentët, të cilët kanë marrë pjesë në audicionet paraprake, por vetëm një pjesë e vogël e tyre do të kalojnë në audicionet para shefave.
Sfidantët e këtij viti janë nga të gjitha moshat dhe profesionet. Do të guxojnë të sjellin performanca në kuzhinë: arkitektë, inxhinierë, teknikë, sportistë, studentë, femra në karrierë dhe gra të moshës së mesme me sfonde të ndryshme familjare, të gjithë me një të përbashkët: pasionin për gatimin.
Të gjitha qytetet e Shqipërisë do të bashkohen në studion e “Masterchef Albania”. Për herë të parë, këtë vit do të ketë disa konkurrentë nga Kosova, si edhe shtetas të huaj.
Shumë surpriza dhe të reja spektakolare premton të sjellë këtë vit produksioni i “Masterchef Albania”, ndërsa juria e gjykimit do të jetë e njëjta. Sokol Prenga, Gëzim Musliaka dhe Renato Mekolli do të vlerësojnë shijet dhe performancat e sfidantëve për të çuar dhe përzgjedhur në finale shefin e ri.
Provat jashtë studios, këtë vit do të jenë spektakolare. Ato do të zhvillohen në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe, secila prej tyre do të ketë një fabul, nga e cila do të varet edhe menuja e ditës për konkurrentët. Skemat e provave dhe të eliminimit do të jenë më të ndërlikuara dhe do ketë shumë surpriza.
Një tjetër risi këtë vit do të jetë studioja televizive, ku është instaluar kuzhina e “Masterchef”. Ajo është gjigante dhe krejt ndryshe nga kuzhina e vitit të kaluar. Një spektakël kulinarie, që edhe sivjet premton të sjellë shije të hollë, performanca të jashtëzakonshme dhe shumë emocione.
Burimi | Top Channel