Me datë 8 shtator, ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, do të mbahet një premierë absolute e shfaqjes “Master Class – Maria Callas” nga autori Terrence McNally. Në këtë vepër, sopranoja legjendare Maria Callas do të rikthehet përmes interpretimit të shkëlqyer të aktores së mirënjohur Eva Alikaj.
Maria Callas, një ikonë e botës operistike, mbetet një legjendë e paharruar. Me një zë të fuqishëm dhe të ndjeshëm, ajo pushtoi skenat më të mëdha të botës dhe preku zemrat e audiencave kudo nëpër botë. Shkëlqimi i saj si një yll operistik përfaqëson jo vetëm suksesin artistik, por edhe përpjekjet e mëdha dhe sakrificat që ajo kaloi për të arritur majat.
Kjo shfaqje, e cila do të prezantohet në formën e një “Master Class”, do të ofrojë një udhëtim emocional në jetën dhe karrierën e Callas, duke përshkruar sfidat dhe triumfet që shënjuan jetën e saj si një figurë e madhe artistike e shekullit të kaluar.