Prej ditesh, Shqipëria po përballet me një numër të madh viktimash dhe infektimesh të reja nga COVID-19, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit ku kurba duket se ka shënuar renie.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli komentoi këtë të premte në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” situatën epidemiologjike, ku theksoi se vihet re një ulje e numrit të të infektuarve me COVID.
“Numri i viktimave shkon në përputhje me rritjen e atyre që janë të infektuar. Po ta marrësh në total, numri i viktimave me numrin e të infektuarve, si për qindje nuk ka ndryshuar. Është aq sa ka qenë në në javët paraardhëse. Fatmirësisht, po vëmë re një tendencë ulje. Ekspertët mendojnë se rritja e infektimeve në janar ka qenë komplekse. Fillimisht u lidh me faktin stinor. Faktori tjetër që është menduar ka qenë edhe ajo që nuk u zbatuan masat e rekomanduara në kohën e festave të fundvitit. Mendohet që në Shqipëri janë futur variantet e reja të virusit, të cilat kanë një infektueshmëri më të lartë se virusi bazë. Është ndërthurja e disa shkaqeve që kanë çuar në këtë rritje.”