Kryeministri Edi Rama ka përmendur sot sërish lëshimet që do të bëhen nga java tjetër për lëvizjen e cila është kufizuar pothuajse plotësisht prej 3 javësh.
Në një komunikim nga zyra e tij, Rama tha se mund të ketë lehtësim të fashës orare apo të lëvizjes me automjet. Por ai paralajmëroi se njëkohësisht me lëshimet do ketë edhe shtrëngime të tjera.
“Patjetër që e nesërmja është shqetësimi ynë i përbashkët dhe na duket i vështirë. Sot po të mos kishim marrë të parët masat që morëm dhe po të mos kishte qenë ky mirëkuptim mbarëpopullor dhe rezistenca e mrekullueshme e 99.9% e shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Shqipërisë ne nuk do të numëronin 17 të vdekur që janë të gjithë jetë njerëzish që dhembin pa diskutim por do të ishim në një tunel ku nuk do të dilnim ma mijëra të vdekur. këtë mund tua thotë cilido nga ata që e njohin mirë se si funksionon një epidemi dhe se si avancon një virus, një armik i padukshëm. Me këtë armik të padukshëm që ka kapur në befasi edhe superfuqitë e këtij planeti që ka paralizuar ushtritë e kapacitetet mbrojtëse të gjithë planetit, askush nuk thotë dot sot që ka një ilaç më të mirë se sa rezistenca popullore. Rezistencë popullore kërkon çdo lider që nga ata të vendeve më të zhvilluara të botës, që nuk e kanë vaksinën deri tek gjithë të tjerët.
Ne pa diskutim që bazuar mbi këtë ecuri pozitive kemi mundësinë të mendojmë për të liruar me pikatore disa masa, shkallë-shkallë për të lehtësuar psikologjikisht në radhë të parë jetën tuaj, jetën tonë të përbashkët por nuk kemi të drejtë dhe kemi detyrimin të mos hedhim hapa të nxituar.
Ndërkohë dua t’u them se nëse do të zgjedhim të fillojmë me disa lehtësime patjetër që duhet të bëjmë edhe disa shtrëngime, se do jemi më të rrezikuar nga ata që nuk duan të dëgjojnë e të kuptojnë që shfaqen aty këtu duke kërcënuar të kthehen në bomba.
Ajo që po konsiderojmë është që duke lehtësuar fjala vjen fashën orare apo lëvizjen me automjet për punë të të gjithë atyre që janë në një punë që sot lejohet e që nuk e kanë të mundur të lëvizin të gjithë me automjetin e tyre privat duhet të rrisim sanksionet për ata që do e shkelin hapësirën e kufizuar të lirisë, e duhet të shkojmë ndoshta deri në heqje lirie për dikë që nëse merr një automjet për të shkuar në punë, e përdor automjetin e tij privat për të transportuar njerëz të tjerë. Kjo është në diskutim intensiv në shtabin tonë dhe duke dëgjuar me vëmendje ekspertët të cilët pas këtij bashkëbisedimi do të kem një diskutim të gjerë dhe të gjatë”, deklaroi Rama.
(m.k/BalkanWeb)