Prej javësh po flitet për shtim të masave kufizuese për të frenuar përhapjen e Covid në vend. Nga Komitetit Teknik nuk ka ende një njoftim zyrtar, por burime për A2 brenda kësaj strukture bëhen me dije disa nga propozimet që po diskutohen nga ekspertët.
Disa prej tyre janë, mbyllja më herët se ora 22:00 e të gjithë aktiviteteve, ndalimi i festimeve në grup për fundvit si dhe zgjatja e pushimeve dimërore për institucionet arsimore. Po ashtu mes propozimeve përfshihen edhe shkollat, që të mbyllen fundjavën e ardhshme, 18 dhjetor, për të rifilluar më 11 janar.
Vendimi duket se ende nuk është marrë, ndërsa pritet që të bëhet publik në fillim të javës që vjen.
Javën e kaluar pati zëra se u diskutua për mbyllje të fundjavës në Tiranë, vendim i cili sipas raportimeve nuk ishte raportuar nga kryeministri Edi Rama.