Marsela Çibukaj, një nga zërat më të veçantë të skenës shqiptare, ka surprizuar fansat me publikimin e këngës së re “Fajet”, e dyta nga albumi i saj i ri “Petale”. Premiera e këngës u bë në kanalin zyrtar të YouTube të këngëtares, duke u bërë një surprizë e veçantë për të gjithë ndjekësit e saj.
Ky moment i veçantë erdhi gjatë pjesëmarrjes së Marselës në emisionin “E Diela Shqiptare”, në rubrikën “Një mesazh për ty”, ku ajo ishte e ftuar së bashku me partnerin e saj, Vitmar Bashën, dhe bandën e saj muzikore. Në një skenë plot emocion, Ardit Gjebrea, moderatori i emisionit, zbuloi surprizën e përgatitur në bashkëpunim me stafin e këngëtares.
Veç performancës së saj të këngës “Fajet”, Marsela u emocionua thellë nga mesazhet e dashurisë dhe mbështetjes që mori nga prindërit, motra dhe mikja e saj më e ngushtë. Përmbyllja e segmentit solli një moment të veçantë kur Marsela dhe Ardit Gjebrea performuan në duet këngën hit “Ata Puthen” e publikuarnë 21 Mars, ditën e ditëlindjes së saj.
Publikimi i “Fajet” nga Marsela Çibukaj është një shtesë e vlerësuar në repertorin e saj dhe një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik me albumin “Petale”.