“Mad Max: Fury Road” triumfoi duke fituar 375 milionë dollarë në mbarë botën dhe 10 nominime për Oscars (me 6 fitore), por xhirimet në vitin 2015 duket se kanë qenë të tmerrshme për shkak të marrëdhënies së Tom Hardy-t dhe Charlize Theron.
Në librin “Blood, Sweat and Chrome: The Wild and True Story of Mad Max: Fury Road” nga Kyle Buchanan, shkruhet se Theron ndihej e kërcënuar nga Hardy, aq sa kërkoi të mbrohej në sheshxhirim.
Duke folur me Buchanan, Theron dhe anëtarë të tjerë të ekipit pretendojnë një seri sjelljesh joprofesionale nga ana e Hardy-t, duke përfshirë vonesën e vazhdueshme që i bënte kolegët të prisnin me orë të tëra në sheshxhirim.
Pasi Charlize e pyeti për vonesën, Hardy thuhet se iu drejtua duke i thënë, “Çfarë me the?”. Në libër shkruhet se aktori iu drejtua Theron në një mënyrë agresive, sa kjo e fundit ndihej e kërcënuar dhe kërkoi dikë që ta shoqëronte për ta mbrojtur për çdo rast. Atmosfera në set mund të krahasohej me ditët kur shkon në pushime, por prindërit zihen, shkruhet në libër.
Marrëdhëniet midis Theron dhe Hardy duket sikur u lehtësuan disi me përparimin e xhirimeve dhe faktit që personazhet (Hardy si Max dhe Theron si Imperator Furiosa) bëheshin më të afërt në film.
Tom Hardy, nga ana e tij, ka pranuar sjelljen jo normale, duke thënë: “Unë isha në një gjendje shumë të vështirë për t’u kuptuar nga të tjerët.” Aktori ka rënë dakord se mund ta kishte trajtuar situatën më mirë. “Presioni mbi ne të dy ishte i jashtëzakonshëm. Çfarë ajo kishte nevojë ishte një partner më i mirë, ndoshta më me përvojë se unë.”