Brenda muajit janar do të nisë vaksinimi ndaj Koronavirusit në Shqipëri. Së fundmi, kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu kanë inspektuar Qendrën e Parë të Vaksinimit antiCOVID në Stadiumin Air-Albania në Tiranë.
Vaksinimi do të fillojë në javën e tretë të janarit. Rama ka treguar se janë siguruar 500 mijë vaksina, ndërkohë që Manastirliu ka bërë me dije se në një orë do të vaksinohen 60 qytetarë.
“Në të gjitha rastet ne fillojmë në javën e tretë të janarit. Por le të shpresojmë që do të fillojmë më shpejt. Jemi në komunikime nga të katër anët. Dhe kemi besim se do të mund të fillojmë dhe më shpejt falë disa kanaleve preferenciale që kemi hapur. Jemi në një fazë realisht shumë pozitive përsa i përket perspektivës të kësaj nisme. Kemi siguruar 500 mijë vaksina dhe njëkohësisht kemi garantuar një trend vaksinimi, që i përgjigjet strategjisë dhe që janë të kalendarizuara. Nga fillimi deri sot ne nuk jemi asnjëherë një hap pas asaj që vjen, por jemi gjithmonë një hap përpara”, është shprehur Rama.
“Janë marrë masat për të gjithë elementët e sigurisë. Do të kemi skuadrat e vaksinatorëve, të mjekëve si dhe të koordinatorëve që do të lehtësojnë këtë proces. Do të kemi ekipet e urgjencës për çdo eventualitet të cilët do të vendosen në postacione të përcaktuara, qoftë jashtë “Arenës”, qoftë në ambientet e vetë stadiumit. Aktualisht janë vendosur dhe po vijojnë të vendosen postacionet. Janë rreth 20 postacione deri tani. Por në fakt në terësinë e unazës të gjithë “Arenës” do të jenë 60 postacione për vaksinimin. Planifikojmë që çdo një orë të vaksinohen 60, ndoshta diçka më shumë qytetarë. Dhe do të vijojmë kështu 8-10 orë në ditë. Sigurisht që vaksinat e para që do të vijnë i dedikohen sipas planit tonë të vaksinimit grupeve të riskut”, shtoi Manastirliu.
Ministrja tha se të parët që do të vaksinohen janë mjekët, infermierët dhe ekipet e 4 spitaleve Covid.