Tre shoqata gazetarësh, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Shoqata e Mediave elektronike dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dalin kundër Televizionit publik shqiptar për aktivitetin më të rëndësishëm të ditës së sotme, Ceremoninë e Lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike nga Papa Francesku mbajtur në Katedralen e Shkodrës, raporton newsbomb.al.
“Por Televizioni Publik shqiptar, që si zakonisht në raste të tilla prodhon sinjalin për të lehtësuar konfuzionin që do krijohej nga prania e kamerave të televizioneve të tjera, në mënyrë të njëanshme e me një akt banditesk e injorant, ndërpret papritur sinjalin për televizionet që po e përcillnin ceremoninë për shikuesit e tyre. Pa e kuptuar rëndësinë mbarëkombëtare të kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, me një sjellje të padenjë, TV publik e konsideron prodhimin e sinjalit të kësaj ceremonie, si një produkt të vetin, duke u hequr mundësinë mediave të tjera që ta përcjellin për shikuesit e tyre, si të ishte një ceremoni sportive a event artistik” thuhet në deklaratën e Shoqatave të Gazetarëve.
I menjëhershëm ishte reagimi i drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Thoma Gëllçi për newsbomb.al.
“Nuk mund të shfrytëzosh punën e rtsh dhe të fshehësh logon e saj. Në këtë rast, kemi të bëjmë me vjedhje të punës së rtsh dhe jo pengesë në transmetimin e ceremonisë. Nëse mediave dhe shoqatave u intereson vërtet transmetimi i ceremonisë, ato s’ka pse ti shqetësojë logo e prodhuesit të sinjalit. Nëse dëshirojnë sinjal pa logo duhet të lidhin kontratë me rtsh dhe të paguajnë për prodhimin e sinjalit” thotë për Newsbomb.al, drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Thoma Gëllçi.
“TV publik që duhet të jetë modeli informimit pa kufij të shikuesve, po shndërrohet në modelin e mendësisë së mbyllur, e krejt të paditur për rëndësinë e rolit të vet. Tv publik nuk mund të bëhet konkurent në treg me akte të tilla injorante dhe ekskluzivitete që paguhen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, por me përmirësimin e programeve e me punë profesionale, ku TVSH mbetet akoma shumë larg mediave jo publike” thuhet në deklaratën e shoqatave, ndërsa shtojnë se për të mos pasur të gjithë kamera në ceremoni, si gjithmonë ceremoninë e transmeton vetëm njëri prej tv, dhe prej andej e marrin të gjithë.