Luiz Ejlli, pas një verë të ngarkuar me koncerte dhe publikime të shumta këngësh, është përballur me kritika të ashpra për ndryshimin e stilit të tij muzikor. Pas këngëve të reja si “Kce,” “Ding Ding” me Ghetto Geasy, “Shqiptare” me Melinda Ademin, dhe “Do pi,” të cilat ndonëse kanë marrë numër të konsiderueshëm klikimesh, kanë qenë të kritikuara për largimin nga stili i tij i mëparshëm.
Megjithatë, publikimi i baladës “Më fal” shënoi një kthesë të rëndësishme për këngëtarin, duke u pritur me përgëzime dhe komente pozitive nga fansat. Kjo këngë ka rikthyer Luiz Ejllin te stili i tij i preferuar, baladat e ndjera, që e kanë bërë të njohur dhe të dashur për publikun shqiptar.
Në një deklaratë për admiruesit e tij, Luizi premtoi të vazhdojë të krijojë këngë që vijnë nga shpirti, duke theksuar se ato janë ato që do të mbeten gjatë në kujtesën e njerëzve dhe në playlist-at e tyre. Kjo tregon përkushtimin e tij ndaj muzikës së mirë dhe dëshirën për të mbajtur gjallë identitetin e tij artistik.