Kur një komb dhe një shtet kalojnë një shekull jetë në liri e me sovranitet, kjo është një provë bindese e një garanci për të ardhmen e tyre, është një dëshmi e pjekurisë së tyre për t’u qeverisur në mënyrë të pavarur e për të ndërtuar marrëdhënie në barazi e në respekt të ndërsjelltë me kombet e shtetet e tjera. E për shqiptarët, të ardhur deri këtu, rruga nuk ka qënë një shëtitje në shtigjet e historisë, por një shumësi betejash për të mirën e me të keqen, për lirinë e pavarësinë, kundër armiqve të deklaruar apo edhe të maskuar, të jashtëm e të brendshëm, ka qënë një luftë me vetveten e brenda kombit.
Në këtë kalvar shekullor ka patur ulje dhe ngritje, humbje e fitore, tërheqje e progres. Të gjitha janë të gdhendura në kujtesën historike si monumente lavdie e nderimi, ku çdo brez njerëzor e ka për detyrë të përulet e të nderojë veprat e brezave pararendës që kanë shënuar epokë në historinë kombëtare. Ndaj edhe Vlora ky qytet hero i kombit dhe vatër e atdhetarisë ka hapur dyert e mikpritjes për të gjithë shqiptarët për të festuar e përkujtuar Luftën kombëtare e çlirimtare të vitit 1920. Dy herë brenda një dhjetëvjeçari, në 1912 dhe ne 1920, Vlora i dha kombit ngjarje historike të mëdha, shtetformuese, e sovraniste që me meritë e kanë bërë atë qytetin e pelegrinazhit kombëtar.
Lufta e Vlorës e vitit 1920 së bashku me Kongresin e Lushnjes para saj, rivendosën pavarësinë e sovranitetin e Shqipërisë, i përsosën e i përmbyllën ato. Të tre këto ngjarje janë në veprime, në thelb e në synime në unitet dhe nuk mund të shpjegohen e të kuptohen pa njëra-tjetrën. Një studim i vëmendshëm thuajse i gjithçkaje çfarë është shkruar për Luftën Kombëtare të Vlorës në rrafsh shkencor, si dhe i dokumentacionit arkivor rreth saj, më nxiti në refleksione të thella, produkt i të cilave janë edhe disa përfundime të arritura si më poshtë:
Lufta e Vlorës pati karakter thellësisht kombëtar
Ajo nuk ishte vetëm luftë e popullit të Vlorës e të Kurveleshit, nuk ishte luftë lokale e për interesa rajonale e të çastit. Ajo mori dimension kombëtar nga synimet që i vuri vetes dhe nga platforma që e udhëhoqi atë, nga pjesëmarrja e shqiptarëve nga të gjitha trevat e vendit, por edhe nga prania e përfaqësuesve të diasporës, nga angazhimi i qeverisë dhe institucioneve të shtetit që ishte në procesin e rimëkëmbjes.
Dokumentet arkivore që disponohen për Luftën e Vlorës e dëshmojnë më së miri karakterin kombëtar të saj. Historiografia shqiptare në të shkuarën e ndodhur nën trysninë e skemave shabllone të interpretimit të ngjarjeve historike e të gjykimit të figurave historike nuk i dha Luftës së Vlorës gjithë dimensionin real kombëtar që ajo kishte. Fakti që Këshilli Kombëtar i dalë nga Kongresi i Lushnjës në fund të marsit 1920 sapo filloi nga puna diskutoi për marrëdhëniet me Italinë ishte dëshmi e një shqetësimi kombëtar. Mbi këtë bazë qeveria e Sulejman Delvinës në 3 prill i kërkoi Komandës së ushtrisë italiane në Vlorë që administrata civile dhe xhandarmëria në krahinat e Vlorës e të Gjirokastrës të kalonin në varësi të drejtpërdrejtë të saj. Në rastin e një përgjigjeje negative, thuhej në kërkesë, ajo “rezervonte lirinë e veprimit”.
Në vijim të kërkesës së saj, qeveria shqiptare dërgoi në Durrës në 14 prill dy ministra të saj, Hoxhë Kadri Prishtinën dhe Ndoc Çobën për të biseduar me Komisarin e Lartë italian, Fortunato Kastoldi, të sapo mbërritur në Shqipëri. Ky takim i parë u pasua nga dy takime në 17 e 25 prill në Tiranë mes të dërguarit italian dhe kryeministrit Sulejman Delvina. Qeveria shqiptare qëndroi e vendosur në kërkesat e saj për bashkimin administrativ të Vlorës edhe gjatë gjithë muajit maj por pa rezultat. Është përsëri Këshilli Kombëtar që me këmbënguljen e deputetëve të Vlorës Qazim Koculi e Spiro G. Koleka, në 22 maj rimerr çështjen në diskutim dhe kërkon që qeveria të mbante qëndrime më të vendosura për dorëzimin e Vlorës dhe bashkimin e saj me administratën qendrore. Deklarata e Sulejman Delvinës në Këshill se kurrë nuk ka për t’u kursyer për të bërë një therori për shpëtimin e Vlorës ishte fryma dhe dëshmia e gjykimit dhe e përballimit të çështjes si një sfidë kombëtare.
II. Lufta e Vlorës plotësoi dhe përmbylli në vija të përgjithshme procesin e rivendosjes të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar, iu përgjegj me qartësi e vendosmëri kryerjes së misionit kombëtar të vitit 1912 të shpalosur nga udhëheqësi i parë kombëtar i shtetit të pavarur, Ismail Qemali për të krijuar një Shqipëri të lirë e të mosvarme. Nëse Kongresi i Lushnjes përfaqësoi platformën politike të nacionalizmit shqiptar për të ndalur coptimin vdekjeprurës të shtetit shqiptar të vitit 1913 dhe rimëkëmbjen e tij institucionale, Lufta e Vlorës përfaqësoi vullnetin kryengritës e luftarak të shqiptarëve që me armë të ndalte këtë coptim e të garantonte sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendit.
III. Lufta e Vlorës, jo vetëm nga karakteri kombëtar i saj, por edhe për nga organizimi dhe fuqia luftarake ishte popullore. Shumica dërrmuese e luftëtarëve popullorë ishin fshatarë të Labërisë dhe jo vetëm të saj, ishin siç shkruante në atë kohë, Shtjefën Gjeçovi, i ndodhur në Vlorë, “burrat e dheut që e liruenë Vlonën me një trimni të pa shoqe…” dhe zonjat e saj që “ku të jetë puna e patriotizmit i gjen në çë do rasë gati…”. Këta njerëz të thjeshtë e thuajse të pashkollë bënë luftën, ranë dëshmorë, sakrifikuan e vuajtën për asgjë tjetër veç për lirinë e trojeve të tyre. Sigurisht që kryengritësit u udhëhoqën nga një elitë politike, atdhetare, por edhe ushtarake të kohës, e cila mund të ishte heterogjene në bindje politike e përkatësi sociale por që qëndroi deri në fund e bashkuar për misionin atdhetar që kishin marrë përsipër.
IV. Për nga rëndësia historike, Lufta e Vlorës qëndron në radhën e ngjarjeve më të mëdha luftarake e kryengritëse shqiptare të shekullit XX, pas shpalljes së pavarësisë. Në dallim nga kryengritjet anti osmane të kohës së para-pavarësisë, Lufta e Vlorës shënoi veprimin e parë të hapur politiko-ushtarak të organizuar kundër një Fuqie të Madhe evropiane dhe fqinje siç ishte Italia. Në vitet e Luftës së parë Botërore kur Shqipëria u pushtua nga fuqitë ndërluftuese e në kundërshtim me vendimin e Konferencës të Ambasadorëve në Londër, në 29 korrik 1913, pati mjaft shqiptarë që si komunitete krahinore e si individë të veçantë me pasues të tyre bashkëpunuan me njërën apo tjetrën fuqi ndërluftuese ose luftuan kundër tyre.
Lufta e Vlorës përveç një grushti njerëzish të lidhur historikisht me interesat italiane, shënoi një unitet të ndërgjegjshëm mbarëshqiptar të panjohur deri në atë kohë. Në dallim nga luftrat e kryengritjet e mëparshme, kjo Luftë pati një platformë politike të qartë, të vendosur, pa kompromise ose tërheqjeje nga objektivi themelor. Lufta e Vlorës u zhvillua në rrethana të komplikuara ndërkombëtare, kur rreziku i copëtimit të vendit ende ndodhej në rend të ditës, por sigurisht në kushte më të favorshme në krahasim me kryengritjet shqiptare të para-pavarësisë që nuk patën mbështetjen e asnjërës prej Fuqive të Mëdha evropiane. Së fundi, Lufta e Vlorës në dallim nga luftrat e kryengritjet e mëparshme shqiptare për pavarësi e sovranitet pati mbështetjen e një qeverie kombëtare shqiptare që ishte faktor e garanci në ecurinë e në suksesin e saj.
V. Perceptimi i rëndësisë kombëtare të Luftës së Vlorës nuk ka qenë i plotë për sa kohë që ajo ka qenë e trajtuar dhe e kufizuar vetëm si një luftë çlirimtare kundër Italisë. Pa vënë aspak në dyshim theksin dhe objektivin kryesor antiitalian të saj, Lufta e Vlorës në një mënyrë ose një tjetër ishte e drejtuar edhe kundër Fuqive të tjera të Mëdha të kohës:
E para, se të gjitha ato në Konferencën e Paqes në Paris në 1919-1920 në të gjitha projektet e marrëveshjet e tyre për Shqipërinë kishin rënë dakord që qyteti i Vlorës dhe hinterlandi i tij që shtrihej deri në Tepelenë si dhe mandati për minishtetin shqiptar që do të krijohej, t’i jepeshin Italisë. Përjashtim këtu në fazën e fundit të Konferencës së Paqes bënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat kundërshtuan memorandumin anglo-franko-italian të 13 janarit 1920 që parashikonte coptimin më të rëndë të Shqipërisë sipas modelit të Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915.
E dyta, Lufta e Vlorës u dha Fuqive të Mëdha mesazhin dhe dëshminë se shqiptarët në kundërshtim me opinionet e kancelarive e të diplomacive të tyre ishin një popull i pjekur dhe me identitet të qartë kombëtar. Në dhjetra e qindra telegrame dhe memorandume gjatë viteve 1919-1920 drejtuar Konferencës së Paqes dhe qeverive të Fuqive të Mëdha, shqiptarët i kishin paralajmëruar ato se nuk do të lejonin që të shiteshin si një tufë bagëtish në tregjet imperialiste të Evropës. Kongresi i Lushnjës në janar 1920 e bëri edhe më solemn e më të fortë këtë betim e paralajmërim të tyre.
Pavarësia kombëtare e shpallur në 1912 dhe e njohur ndërkombëtarisht në 29 korrik 1913 vetëm për gati gjysmën e trojeve shqiptare në Ballkan, nuk arriti të ushtrohej as në ato territore që i mbetën Shqipërisë edhe me krijimin dhe funksionimin e mbretërisë gjashtëmujore shqiptare të vitit 1914. Shteti i pavarur shqiptar në konceptin e datës historike të themelimit të tij jetoi diçka rreth 22 muaj, ndërsa në konceptin e njohjes ndërkombëtare të tij rreth 14 muaj. Shtetformimi është proces i gjatë historik, i lidhur ngushtë me ushtrimin efektiv të sovranitetit e të integritetit territorial të vendit, me njohjen ndërkombëtare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtete të tjera, me krijimin e institucioneve përfaqësuese të vullnetit të popullit përmes zgjedhjeve të lira, të institucioneve që ushtrojnë pushtetet ekzekutive e juridike, të korpusit bazë ligjor e para së gjithash të Kushtetutës si dhe të gjithë infrastrukturës tjetër plotësuese shtetërore që garanton një zhvillim normal e të gjithanshëm të tij.
Këto atribute dhe cilësi funksionale shtetërore ose mungonin fare ose ishin minimale në qeverisjen e Princ Vidit. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore dhe kthimi i Shqipërisë në shesh beteje të fuqive ndërluftuese jo vetëm që rëzoi vendimet e vetë Fuqive të Mëdha për asnjanësinë e pavarësinë e shtetit shqiptar për të cilat ato kishin dalë garantë, por u dha jetë planeve copëtuese dhe zhdukjes së Shqipërisë nga harta politike e Ballkanit, ose në rastin më të mirë ruajtjen e një hapësire të vogël territoriale që do të pagëzohej shtet shqiptar por nën protektoratin e mundshëm të Italisë. Ky skenar u ligjërua përmes Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 nga katër Fuqitë e Mëdha (Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Italia) ndër gjashtë Fuqi që dy vite më parë po në Londër kishin njohur pavarësinë, sovranitetin dhe asnjanësinë e shtetit shqiptar e kishin dalë garante të tij.
Në përfundim të Luftës së Parë Botërore ky projekt ogurzi copëtimi ishte në fuqi dhe kancelaritë e Fuqive të Mëdha evropiane fituese të Luftës (Britania e Madhe, Franca dhe Italia) shkuan në Konferencën e Paqes në Paris me dosje të përgatitura për ta asgjësuar Shqipërinë.Nëse ky fund i tmershëm nuk ndodhi, merita duhet ndarë midis një emri të madh të historisë politike amerikane të shekullit të XX-të, Presidentit Udro Uillson që në janar-mars 1920 u tha tre herë jo kryeministrave britanik, francez dhe italian duke vënë veton për memorandumin e tyre famëkeq të 13 janarit dhe atdhetarëve shqiptarë të mbledhur në Kongresin e Lushnjës që morrën ato vendime shpëtimtare dhe paralajmëruese historike.
Merita e Kongresit të Lushnjës është se formoi jo vetëm një qeveri të përgjegjshme dhe institucione të reja shtetërore, bartëse të sovranitetit kombëtar, por krijoi frymë e dha mesazhe të qarta edhe për qeveritë e huaja e sidomos për ato të vendeve fqinje. Nisi të funksionojë jeta shtetërore dhe u shënuan arritjet e para në bashkimin administrativ të vendit. Por nuk ishte e mjaftueshme për funksionimin e një shteti normal pa ushtrimin e plotë të sovranitetit kombëtar dhe kontrollin e plotë të territorit të tij.Prania e forcave italiane në Shqipëri e sidomos në Vlorë e bënte fiktive si pavarësinë edhe sovranitetin shtetëror, mbante peng të ardhmen e saj dhe i jepte udhë projektit të vjetër italian, atë që zëvëndës ministri i jashtëm italian (në qershor e tutje ministër i jashtëm) Karlo Sforca në 28 prill 1920 i sugjeronte kryeministrit italian Françesko Nitti se “baza e politikës tonë tani duhet të jetë zotërimi i sigurtë i Vlorës. Nuk mund të bëjmë kurrë një politikë efikase shqiptare dhe ballkanike në qoftë se nuk do të jemi të vendosur fortë në bregun tjetër.Deri sot askush as edhe Uillson nuk ka kontestuar zotërimin e Vlorës”.
Në prill-maj qeveria shqiptare e nxitur edhe nga Këshilli Kombëtar hyri në negociata me autoritetet ushtarake italiane në Vlorë dhe me të dërguarin e Romës në Shqipëri si Komisar i Lartë, Fortunato Kastoldi për largimin e forcave italiane dhe bashkimin administrativ të Vlorës e të Tepelenës me Tiranën.Refuzimi i tyre ishte kategorik dhe qeveria e Sulejman Delvinës në rrethanat në të cilat ajo vepronte nuk kishte mundësi dhe forca që të impononte një zgjidhje tjetër.Pranimi i faktit të kryer vinte në dyshim edhe ato pak arritje të bëra, por vinte mbi të gjitha në hipotekën italiane, pavarësinë, sovranitetin dhe të ardhmen e vëndit.
Duke e mirëkuptuar qëndrimin e qeverisë në Tiranë dhe duke u bashkërenduar me të fshehurazi por në mjaftë raste edhe hapur, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” në Vlorë morri përsipër një mision të madh historik, të organizonte e të zhvillonte luftën e armatosur për të larguar pushtuesit italianë nga Vlora e nga gjithë Shqipëria. Ky ishte një moment kyç dhe këtu qëndron merita e madhe e udhëheqësve të Luftës së Vlorës. Kjo Luftë eleminoi rrezikun më të madh për Shqipërinë, për pavarësinë e tërësinë e saj territoriale. Ajo i dha liri dhe frymëmarrje rinisjes shtetërore në kuptimin jo simbolik të rivendosjes së sovranitetit e të ringjalljes së pavarësisë së vitit 1912, por i dha Shqipërisë besimin se ajo mund të bëhej dhe do të bëhej nga vetë shqiptarët. I përcolli gjithashtu botës ndjesinë se ky vënd nuk duhej gjykuar me stereotipet e së kaluarës dhe se ka aftësi për tu vetëqeverisur në të ardhmen.
Koherencën historike në veprime e synime të Pavarësisë së 28 nëntorit 1912 me Luftën e Vlorës të 1920 e ka vënë në dukje me një lirizëm të pazakontë Mit’hat Frashëri kur shkruante: “Dy data, 1912 dhe 1920, dy ngjarje, dy flakë.E dyta plotësoi të parën, e mbaroi, e forcoi, i dha shkëlqim, e bëri të vërtetë, reale, e shpëtoi prej mjegullës dhe dyshimit. E para i hapi udhë të dytës, por e dyta i dha trup së parës, e bëri të pashme, të gjallë, me shpirt, me frymë, ose më mirë akoma, mblodhi në këtë pjellë shpirtin dhe frymën e përhapur që fluturonte në erë dhe s’kishte zënë vënd përdhe, e forcoi në këtë zall me rërë pastaj e hodhi mbi gjithë Shqipërinë, si një vesë që bie dhe ngjall bimët e vyshkura prej të thatit”.
VI. Lufta e Vlorës e përforcoi dhe e manifestoi edhe më tepër vullnetin politik e frymën kombëtariste të Kongresit të Lushnjës. Këto dy ngjarje të mëdha ishin vazhdim logjik dhe plotësim i njëra tjetrës, ato i lidhi në mënyrë të pazgjidhshme filli kuq e zi i ndërgjegjes kombëtare. Pa qeverinë kombëtare të Lushnjës, Lufta e Vlorës nuk do të mund të arrinte objektivin e saj madhor kombëtar, largimin e detyruar të ushtrisë italiane jo vetëm nga Vlora por edhe nga porte te tjera e territoret e mbajtura me forcë prej saj. Janë tashmë të njohura meritat dhe kontributet e kryeministrit Sulejman Delvina, të ministrit të brendshëm Ahmet Zogu, të ministrave të tjerë si Spiro G. Koleka, Hoxhë Kadri Prishtina, Ndoc Çoba e të tjerë si dhe e Këshillit të Lartë (Regjencës) me në krye Aqif Pashë Elbasanin si dhe e Këshillit Kombëtar.
Janë pikërisht këta burra e të tjerë pas tyre që gjithnjë e më hapur u rreshtuan përkrah luftëtarëve të Vlorës e të gjithë Shqipërisë, që i mbështetën me armatime, ushqime e furnizime të ndryshme dhe që u bënë edhe përfaqësuesit e zëdhënësit e tyre zyrtarë në negociatat me të dërguarit e Romës apo me qeveritë e vendeve të tjera. Ndaj është edhe në shërbim të të treguarit e të shkruarit objektiv të historisë që të sillen dëshmi dokumentare të kohës edhe si ajo e ministrit të brëndshëm Ahmet Zogut kur në shkresën drejtuar prefekturave të vëndit në 1 korrik 1920 ku bën thirrje për ndihmë e mbështetje të gjithanëshme për Luftën e Vlorës. Argumenti i tij është se “Vlora qyteti ma i rëndësishëm i Shtetit t’onë, çelsi i të gjithë Shqipnisë dhe shtylla më e shëndoshë e Statutit të Londrës 1913, ka nji muaj qi qjindet në luftë me Italiën qi kërkon t’a bajë nji qytet të sajin.Kjo luftë që bajnë atje vllazënit t’onë, nuk asht vetun për at qytet, por asht për të gjith Shqipniën, se nji Shqipnie pa Vlonë, nuk mundet të ketë e nuk mund të bahet”.
Por edhe pa Luftën e Vlorës qeveria shqiptare e vendosur në Tiranë nuk do të mund të realizonte misionin historik të përcaktuar në Lushnjë për të shtrirë sovranitetin shqiptar në të gjithë territoret që ende ndodheshin nën pushtimin e huaj. Pa Luftën e Vlorës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar qeveria e Tiranës nuk do ta kishte jetën të gjatë dhe as nuk do të merrej seriozisht në planin ndërkombëtar.
Në aspektin politik Lufta e Vlorës ishte vazhdim i natyrshëm i Kongresit të Lushnjës. E para, i dha më tepër përmbajtje e fryme luftarake vendimeve të përfaqësuesve (rreth 50) të zgjedhur krahinorë të Kuvëndit të janarit, ishte më masive, siguroi unitet më të madh e përfaqësim më të lartë.Por burrat e shquar të Vlorës të asaj kohe, të Labërisë e të Kurveleshit, të Gjirokastrës, Beratit, Skraparit, Mallakastrës, të Korçës, Shkodrës, të Elbasanit, Durrësit e Fierit, bënë atë që nuk mund të bënte qeveria e Sulejman Delvinës:luftën e armatosur.Ishte pikërisht kjo Luftë kombëtare mbarë shqiptare ku spikati udhëheqësia trimërore dhe e zgjuar e Osman Haxhiut, Qazim Koculit, Ahmet Lepenicës, Myqerem Hamzaraj, Hazbi Cano, Memo Mete Brati, Murat Tërbaçi, Halim Xhelo, Qazim Kokoshit… që përmbylli misionin historik të rivendosjes së sovranitetit kombëtar në territoret që mbaheshin të pushtuara nga ushtria italiane.
Suksesi i kësaj Lufte detyroi për herë të parë në historinë shqiptare pas epopesë së Skënderbeut kundër pushtimit osman, që një Fuqi e Madhe e kohës siç ishte Italia në vitin 1920 të detyrohej të ulej nga armët e luftëtarëve popullorë si Selam Musai, Zigur Lelo, Sado Koshena, Toto Bolena, Sali Vranishti, etj. në tryezën e bisedimeve me një qeveri shqiptare, në pozita të barabarta dhe të nënshkruante në 2 gusht 1920 në Tiranë një marrëveshje historike, të njohur me emrin Protokolli i Tiranës. Sipas këtij Protokolli, qeveria italiane në respekt “për Sovranitetin Shqiptar mbi Vlorën dhe të integritetit territorial të Shqipërisë, do të riatdhesojë trupat italiane
aktualisht të shpërndara në Vlorë dhe në bregdetin e saj si dhe në pjesën tjetër të Shqipërisë, me përjashtim të Ishullit të Sazanit…”. Kjo marrëveshje ishte e veçantë, jo vetëm për përmbajtjen e saj por edhe si akti i parë i plotë ndërkombëtar përmes të cilit qeveria shqiptare shfaqej si palë e barabartë e sovrane në marrëdhëniet me jashtë pas Luftës së Parë Botërore.
Humbjen e Vlorës por edhe të influencës në Shqipëri, qarqet politike konservatore dhe ekspansioniste italiane nuk do ta harronin.Pezmin e tyre për këtë humbje ata e shprehën në mënyrë publike në shumë mënyra por në një formë simbolike e përfaqësuese ketë ndjesi do ta shprehte po i njëjti sekretar i përgjithshëm i ministrisë së jashtme italiane i vitit 1920, Kontarini, i cili, në 20 dhjetor 1924, në prag të rikthimit të Ahmet Zogut me ndihmën financiare dhe ushtarake të Beogradit në Shqipëri, do t’i deklaronte përfaqësuesit diplomatik shqiptar në Romë se “duke na dëbuar nga Vlora ju na hoqët mundësinë për t’ju ndihmuar në mënyrë efikase.Në situatën e tanishme ne nuk mund të bëjmë asgjë më tepër për ju se ç’mund të bënim për çfardo vënd tjetër….”.
VII. Lufta e Vlorës pati një jehonë të gjërë ndërkombëtare. Ajo zuri vënd në një numër jo të vogël gazetash italiane por edhe evropiane.Qarqet diplomatike evropiane, veçanërisht ato fqinje e ndoqën me vëmëndje revoltën shqiptare kundër ushtrisë italiane.Qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës kishte kërkuar në vijimësi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me qeveritë e Fuqive të Mëdha dhe ato fqinje, por ende deri në verën e vitit 1920 nuk kishte patur asnjë përgjigje pozitive prej tyre.
Lufta e Vlorës dhe largimi i forcave italiane nga Shqipëria e futi vëndin përfundimisht në rrugën e përmbylljes të rivendosjes së sovranitetit të plotë kombëtar në të gjithë territorin e shtetit të pavarur të vitit 1913 të njohur ndërkombëtarisht.Rinjohja e Shqipërisë si subjekt i të drejtës ndërkombëtare ishte mëse urgjente.Ajo mund të bëhej në dy mënyra:ose përmes rinjohjes nga çdo shtet i veçantë i pavarësisë së Shqipërisë dhe i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me të, ose përmes një akti ndërkombëtar të miratuar nga një shumicë shtetesh e para së gjithash nga Fuqitë e Mëdha.
Prof. Paskal Milo