BBC do të sjellë së shpejti në ekranin e vogël një përshtatje televizive të novelës historike Lufta dhe Paqja nga autori Leon Tolstoi.
Për ata që nuk e kanë lexuar librin subjekti flet për ngjarjet e trazuara në Rusi gjatë luftërave të Napoloeonit në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Mbështetur mbi një stil jete aristokratike që tashmë kish filluar të zhdukej gjatë kohës që Leon Tolstoi shkroi librin e tij në vitet 1860, libri përmbledh një periudhë relativisht të shkurtër – pesëmbëdhjete vjet – por paraqet jetët e karaktereve të ndryshëm nga të gjitha segmentet e shoqërisë me detaje të gjalla dhe të mirërealizuara.
Tregimi pasqyron përballjen e një gjenerate me ndryshimin, i cili i bën disa që të luftojnë për të mbrojtur strukturën ekzistuese edhe me jetën e tyre, ndërsa të tjerët e kuptojnë se mënyrat e vjetra po zhduken.
Në mini serialin e ndarë në gjashtë pjesë, i bazuar nga tregimi i Tolstoi do të jenë protagonistë James Norton në rolin e Andrei, Lily James në rolin e Natasha dhe Paul Dano në rolin e Pierre.
Pjesë e cast-it do të jenë edhe Gillian Anderson dhe Jim Broadbent.
Përshtatja televizive është kuruar nga Andrew Davies, ndërsa regjia i është besuar Tom Harper.
Rrjeti britanik ka konfirmuar se projekti i shumë pritur do të transmetohet ne Mretërinë e Bashkuar duke filluar nga janari 2016 në BBC ONE.
Ky është një bashkëprodhim i BBC dhe The Weinstein Company.